3 shkurt 2015 – Të ndërpriten negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Këtë përmban projekt-rezoluta e tre deputetëve francezë të së djathtës ekstreme, Dominique Bilde, Sophie Montel dhe Steeve Briois.
Përfaqësuesit e partisë Fronti Nacional, që drejtohet nga Le Pen, thonë se shkak i këtij qëndrimi të tyre janë gjendja sociale dhe ekonomike në Evropë.
Eurodeputetët francezë kërkojnë mbajtjen e referendumeve në çdo vend anëtar, lidhur me valën e re të anëtarësimeve të mundshme në BE, ku theksohet ndalimi i negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë.
Ata kundërshtojnë në mënyrë të ngjashme edhe procesin e anëtarësimit të Turqisë e Malit të Zi.
Në projekt-rezolutë theksohet ndër të tjera se, Shqipëria ka përfituar deri më tani kredi evropiane që shkojnë deri në 315,5 milionë euro në vitet 2000-2006 dhe 306,7 milionë euro në vitet 2007-2010.
Problemi lidhet me faktin se gjendja e vështirë aktuale në BE, do të shtojë barrën e kontributeve financiare nga vendet kryesore të saj, veçanërisht Francës.
Veç kësaj në rezolutë, vihet në dukje se, Shqipëria ka problem të mëdha me korrupsionin dhe është një nga pikat e qarkullimit për shumë trafiqe, si të drogës, prostitucionit e të tjera.





