· Ministri i Mjedisit fillon fushatën elektorale me Currilat në Top-Channel
DURRËS, 2 shkurt 2015 – Pas sulmit që i bëri bashkisë së Durrësit për Currilat, duke përdorur një ent publik informimi të Qeverisë, sikurse është Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH), që administrohet nga LSI-a, Ministri i Mjedisit Lefer Koka “zbutet” para ekranit të televizionit kombëtar TCH (http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=292259 ose https://www.youtube.com/watch?v=42KROnDYif4 ).
Top Channel ka transmetuar, të dielën, më 1 shkurt 2015, një bisedë me Ministrin e Mjedisit, Lefter Koka. Redaksia e informacionit shkruan në hyrje të kronikës: “Pas reshjeve të dendura të këtyre ditëve në kodrën e Currilave në Durrës nuk ka ndodhur më rrëshqitje. Projekti i realizuar nga Ministria e Mjedisit, jo vetëm që ka frenuar erozionin, por i ka kthyer pamjen e gjelbëruar. Ndërkohë që më parë kjo kodër ishte shndërruar në makth për qytetarët e Durrësit, pasi rrëshqitja e dheut, sa herë binte shi, bllokonte rrugën për në Currila, por njëkohësisht shkaktonte dëme të konsiderueshme në shtëpitë e banorëve dhe bizneset në këtë zonë shumë të frekuentuar”. Ministri i Mjedisit, Lefter Koka i deklaroi TCH-së:
“Pas një testimi disa mujor, me reshje të vazhdueshme, jam i bindur se kodra e Currilave tashmë është e rehabilituar. Tashmë do të jetë një park në shërbim të qytetarëve durrsakë. Kjo vepër ka shtuar besimin, jo vetëm për rikthimin e kësaj kodre në identitet, por dhe për erozionin në tërësi. Kemi një sipërfaqe të madhe të tokave shqiptare që janë në presionin e erozionit dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Projekti i realizuar për frenimin e erozionit në këtë kodër, përveç sigurisë teknike, synon shndërrimin e kësaj zone në një park të aksesueshëm për qytetarët. Në të është parashikuar një rrugë pedonale me stola, ndriçim, si edhe korsi të posaçme për biçikletat.
Hapi i parë ka qenë disiplinimi i ujërave. U bë rehabilitimi nga ana infrastrukturore të kodrës, vendosja e rrjetave. Ndërhyrja infrastrukturore që është bërë dhe vendosja e bimësisë krijojnë siguri maksimale për mosrrëshqitje. Nga ana tjetër do të kemi një zonë të gjelbër në shërbim të qytetarëve”.
ANALIZË
Ka gjasa që Agron Duka, kunati i Lefter Koka, të mos miratohet si kandidaturë e opozitës për 21 qershorin 2015. Vetë Duka deklaroi se fisi Koka do të mbështeste në votime. Duke qenë zyrtarisht në shumicën qeverisëse, Ministri Koka do të mbështeste kandidaturën e së majtës. Por edhe ai e ka një plan “B”: nëse Duka “ngel në klasë”, të majtën ta përfaqësojë Koka, që ka fituar një mandat me PS-në si kryetar bashkie. Në këtë rast superfisi Duka-Koka do të dilte i fituar me superbashkinë, pavarësisht se kush është në krye (Ali Hoxha / Hoxhë Alia). Kronika e TCH-së mund të përkthehet në një “paradhënie” apo trysni mbi Ramën dhe Metën. Nëse PS-ja nuk jep Tiranën për LSI-në, të paktën t’i japë Durrësin. Në këtë kuptim, Koka ka filluar fushatën elektorale me projektet e dikasterit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





