·        I dëmtuari u dërgua në urgjencën e spitalit rajonal Durrës, jashtë rrezikut për jetën

·        U bë shoqërimi në komisariatin e Durrësit i agresorit S. A.. Adoleshenti ka dhënë shpjegime për ngjarjen, si person mbi të cilin zhvillohen hetime

DURRËS, 2 shkurt 2015 –  Dy gjimnazistë të “Gjergj Kastriotit” e fillojnë ditën e parë të javës me sherr, për motive të dobëta, ku njëri që ka lindur në Berat dhe që banon në Plazh, ka goditur me thikë bashkëmoshatarin e vet durrsak, po me banim në Plazh.

Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut Durrës-Krujë njofton se të hënën, më 2 shkurt 2015, rreth orës 13.30, në lagjen nr. 1, në afërsi të gjimnazit “Gjergj Kastrioti” Durrës, ka ndodhur një ngjarje, që mund të përfundonte në tragjedi. Blutë sqarojnë se, pas një konflikti për motive të dobëta, 17-vjeçari S. A., lindur në Berat e banues në Durrës, Plazh, nxënës në klasën e 10-të të shkollës “Gjergj Kastrioti”, ka plagosur lehtë me thikë në këmbë bashkëmoshatarin L. K., lindur në Durrës edhe ky i fundit me banim në Plazh. Pasi ka ndodhur ngjarja, i dëmtuari u dërgua në urgjencën e spitalit rajonal Durrës, ku po merr mjekimet, jashtë rrezikut për jetën.

Policia u ka marrë deklarime personave të pranishëm si edhe personit të dëmtuar L. K. Është bërë shoqërimi në komisariatin e Durrësit i agresorit S. A.. Adoleshenti ka dhënë shpjegime për ngjarjen, si person mbi të cilin zhvillohen hetime.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/