DURRËS, 2 shkurt 2015 – Gjatë vitit 2014 porti i Durrësit ka pasur kontakte me rreth 60 porte në të gjithë globin. Anijet tregtare kanë transportuar afro 1.7 milion tonë mallra gjithsej, pa përfshirë transportin e mallrave me kontejnerë apo me tragete. Anijet kanë lundruar në portet e 20 vendeve, duke përfshirë edhe portin e amerikan të Hjustonit. Shkëmbimet tregtare nga Durrësi kryhen me më shumë se 15 porte të Italisë, që zë vendin e parë për nga numri i porteve, megjithëse vëllimi më i madh i mallrave me anije realizohet me Rusinë, më shumë se 340 mijë tonë, njoftoi zyra e shtypit e drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës.
Sipas të dhënave të sektorit të statistikave, sasia më e madhe e mallrave për eksport është nisur me anije drejt porteve të Egjiptit, ndërsa importet më të mëdha i përkasin Rusisë. Gjatë vitit 2014 në portet e Dekhelias, Damietas, Aleksandrisë dhe Port Saidit (Egjipt) janë shkarkuar më shumë se 235 mijë tonë mallra shqiptare, kryesisht klinker (lëndë e parë për prodhimin e çimentos). Nga Durrësi drejt Libisë janë nisur afro 170 mijë tonë mallra, ndërsa 159 mijë tonë mallra të tjera drejt porteve të Turqisë. 111 mijë tonë mallra kanë pasur si destinacion tre porte të Kinës. Në vendin e pestë ndodhet Italia, në portet e së cilës kanë mbërritur me anije tregtare 34 mijë tonë mallra shqiptare.
Rusia, Turqia dhe Ukraina janë tre vendet e para nga portet e së cilës nisen drejt
vendit tonë mallrat e importit. Rusia zë vendin e parë, me afro 340 mijë tonë mallra, kryesisht grurë. Turqia dhe Ukraina kanë sjellë në Durrës gjatë vitit të kaluar përkatësisht 143 mijë dhe 78 mijë tonë mallrat ë ndryshme.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Kontribuoi g. k./





