2 shkurt 2015 – Amir Abrashi mund të jetë lojtari i ardhshëm i kombëtares që mund të luajë në Serinë A. Futbollisti i përfaqësueses është vënë në shënjestrën e dy skuadrave të mëdha italiane.
Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Cagliari dhe Chievo janë dy klubet që po përpiqen të sigurojnë shërbimet e mesfushorit. Dy skuadrat po përpiqen shumë që të arrijnë një marrëveshje në orët e ardhshme, përpara mbylljes zyrtare të merkatos së dimrit. Abrashi aktualisht luan për zviceranët e Grashopers dhe ka qenë një prej elementëve më të spikatur te kuqezinjtë në këto dy vitet e fundit. 24-vjecari është pjesë e ekipit të Grashopers që prej vitit 2010, kur u huazua nga Winterthur, ndërsa në vitin 2011 Grashopers bleu kartonin e tij për shumën e 600 mijë Eurove.
Me Kombëtaren Shqiptare ai ka luajtur në total 11 ndeshje, teksa debutoi më 14 gusht 2013 në miqësoren ndaj Armenisë të fituar 2-0. Në Zvicër, Abrashi ka fituar 1 Kupë të Zvicrës në vitin 2013.





