- Deklarata e papritur dhe ndoshta e nxituar e Fatmir Mediut, i cili shpalli Agron Dukën kandidat të opozitës për Bashkinë e Durrësit, njësinë e dytë vendore më të rëndësishme në vend, ka turbulluar ujërat në SHQUP.
2 shkurt 2015 – Më shumë se një shuarje të kureshtjes së opinionit publik, dalja e Mediut ishte një presion i hapur dhe provokim për PD. Ndërkaq, deklaratat e Dukës se ka disa muaj se ka nisur përgatitjet, e ka bërë më delikate situatën. Sinjalin e parë e dha kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili deklaroi se ende nuk ka një vendim nga strukturat e partisë sa i takon zbulimit të profilit të kandidatëve. Menjëherë doli Fatmir Mediu, i cili në përpjekje për të korrigjuar apo zbutur diçka, tha se nëse PD nuk ishte dakord, kandidatura e Dukës do të tërhiqej. Por, Partia Demokratike duket se është vërtetë kundër kandidaturës së Agron Dukës, ndonëse konsiderohet si më shpresëdhënës për një fitore të mundshme. Jo vetëm Sali Berisha, Lulzim Basha dhe deputetë të PD, por edhe strukturat e Partisë Demokratike të Durrësit janë kundër Dukës.
Madje, sipas burimeve, PD ka piketuar një kandidat tjetër për Bashkinë e Durrësit në zgjedhjet e 21 Qershorit që me shumë gjasë do të ketë përballë Vangjush Dakon ose Lefter Kokën. Kandidati është Ardian Muka. Ky i fundit mbështetet nga strukturat e Partisë Demokratike të Durrësit, ndërsa pritet t’i propozohet drejtuesve të lartë të PD në Tiranë. Sipas burimeve, Muka ka mbështetjen personale të Lulzim Bashës.
Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë Muka, teksa është pyetur rreth zhvillimeve dhe diskutimeve për kandidatin e mundshëm. Muka ishte kandidat për të drejtuar degën e PD në Durrës. Por, ai humbi përballë Osman Stafës. Por, Muka duket se ka mbështetjen e bazës dhe të qendrës për të qenë kandidat i opozitës për Bashkinë e Durrësit, e cila nuk është bastion as e PS dhe as e PD. Gjithsesi, për zyrtarizimin e kandidatëve, PD ka ngritur 61 grupe pune në 61 njësi vendore. Propozimet përfundimtare do të kalkojnë nëpërmjet këtyre grupeve të punës.
Opozita drejt përçarjes
Rrëzimi përfundimtar i kandidaturës së Agron Dukës mund të krijojë një krisje të opozitës, me impakt në rezultatin për Bashkinë e Durrësit. Duka ka një mbështetje të madhe në zonat periferike të Durrësit, vota të cilat mund të mos shkojnë për PD, nëse ai nuk do të jetë kandidat. Gjithsesi, në një dalje të fundit, Duka u shpreh i vendosur për të qenë kandidat i opozitës.
“Kreu i PR ka thënë që mund të shihem si kandidaturë konsensuale e së djathtës. Unë kam pranuar. Do shohim nëse kandidatura ime bashkon të djathtën dhe premton fitore. Mund të marr përsipër, nëse jo do të mbështesim kandidaturën e së djathtës që do të dalë në Durrës. Unë personalisht kam shprehur vullnetin për të qenë kandidat. PD e Durrësit në këto momente është e bashkuar, për meritë të kryetarit të ri dhe të deputetëve ka një optimizëm për të fituar këto zgjedhje pas 15 vitesh”, ka deklaruar Duka.
Kreu i degës së PD në Durrës kundër Dukës, kërkon respektimin e statusit
Kreu i degës së PD në Durrës, Osman Stafa, ka kërkuar dje respektimin e statutit dhe proceseve demokratike për përzgjedhjen e kandidaturave për zgjedhjet vendore, duke kundërshtuar në këtë mënyrë kandidaturën e Dukës.
“Ditët e fundit, në mediat e shkruara dhe ato vizive, jemi njohur me emra kandidatësh potencial për të qenë pjesë e garës elektorale për zgjedhjet vendore të këtij viti. Një fenomen normal kur për pak muaj fillon gara për zgjedhjet vendore. Gjej rastin ti falenderoj dhe përgëzoj në emër të Partisë Demokratike dega Durrës. Çdo njeri nga Ju është një vlerë e shtuar kontributesh dhe eksperiencash intelektuale dhe qytetare. Sigurojmë çdo qytetar dhe demokrat, që nga ana jonë ky proces në bashkëpunim me Ju do të menaxhohet me transparence, me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri, në emër të interesave qytetare dhe politike”, ka deklaruar ai. Stafa ka pohuar se kandidatura do të përcaktohet vetëm nëpërmjet zbatimit të statusit të Partisë Demokratike. “Janë vetëm proceset demokratike dhe statutore brenda PD dhe koalicionit të djathtë ato që do përcaktojnë kandidaturën fituese; një Kryetar të ri të Bashkisë Durrës, i cili do ketë detyrën e vështirë por fisnike ti japë një zhvillim të qëndrueshëm dhe një frymëmarrje qytetit, pas këtij krimi urban dhe zhvillimore që ka pësuar Durrësi. Prandaj ju sigurojmë se do të përzgjidhet ai kandidat i cili jo vetëm ka përkrahjen e qytetarisë Durrsake, por ofron zgjidhje konkrete dhe afatgjata për qytetin dhe në emër të qytetarëve. Ky fluks vlerash dhe kontributesh është një garanci dhe shpresë për qytetin dhe për forcën tonë politike dhe tregon përgjegjësi dhe besim për fitoren e padiskutueshme”, thekson përmes një deklarate kreu i degës së PD-së në Durrës”, tha ai.
/gazeta "Sot"/





