• Përmendja shkarazi nga përfaqësuesi PS-së i një institucioni me drejtor Flamur Gjuzin, “nxeh” LSI-në bregdetare
DURRËS, 31 janar 2015 – Prefekti Rolant Xhelilaj, “mëkëmbësi” i Kryeministrit Edi Rama për qarkun e Durrësit ka turbulluar ujërat në degën e LSI-së Durrës për shkak edhe të një kritike me pambuk ndaj drejtorisë rajonale të ALUIZNI-t.
Sikurse ka njoftuar “Dyrrah”-u (durreslajm.com), më 23 janar 2015, institucioni i Prefektit ka zhvilluar analizën vjetore të vitit 2014 (http://www.durreslajm.com/politike/durr%C3%ABs-prefekti-xhelilaj-b%C3%ABn-bilancin-e-vitit-2014). Meqenëse materiali ishte shumë i gjatë, “Dyrrah”-u nuk u ndal në ndonjë detaj intrigues. Por një funksionar i degës vendore të LSI-së në Durrës, që ishte disi i acaruar me Prefektin Xhelilaj, pyeti se ç’ishte thënë konkretisht në analizë për drejtorin e ALUIZNI-t, Flamur Gjuzi. Duke verifikuar slajdet (slide) e projektuara, del se në analizë nuk ishte përmendur me emër përfaqësuesi i LSI-së, por kishte një kritikë të lehtë pune:
“Gjatë punës së këtij viti janë hasur vështirësi me disa institucione, që përgjigjen me vonesë, ndër të cilat, ALUIZNI, që në shumë raste nuk i jep zgjidhje problemit”.
Ky citim duhet parë në kontekst, por struktura në LSI e kanë konsideruar si sulm kundër aleatit në qeverisje. Në analizë është folur mbi problemet sociale, sidomos rreth ankesave dhe kërkesave nga populli. Ja konteksti, ku Prefekti i qarkut Rolant Xhelilaj ka përmendur ALUIZNI-n:
“Vëmë në dukje se Institucioni i Prefektit nuk ka tagër ligjor për pritjen, shqyrtimin dhe zgjidhjen e çdo lloj ankese dhe kërkese nga populli, megjithatë në Prefekturë janë drejtuar me shkrim apo janë përcjellë një numër i konsiderueshëm kërkesash si nga qytetare ashtu edhe nga institucione. Krahas këtyre, pranë institucionit tonë vijnë vazhdimisht individë e grupe qytetaresh për të parashtruar kërkesa e ankesa të ndryshme. Normalisht pritja organizohet çdo ditë të premte, por qytetarët janë pritur edhe jashtë kësaj dite. Prefekti, në bashkëpunim me të gjithë sektorët e institucionit, ka bërë në mënyre sistematike pritje me popullin. Gjatë këtij viti kanë ardhur 162 ankesa, nga të cilat 74 nga Kryeministria, të ndara si më poshtë: 21 ankesa për planifikimin e territorit, 9 për infrastrukturën, 10 për mjedisin, 9 për Ujësjellës Kanalizime, 6 për energjinë elektrike, 11 për konflikte pronësie 12 për punësim, 5 për strehim, 4 për konkurrence në transportin e udhëtarëve dhe 22 të ndryshme.
Pjesa më e madhe e tyre rreth 40 ankesa janë për punësim dhe pjesa tjetër për probleme sociale e të ndryshme. Përveç takimit me personat, lidhur me ndihmën ekonomike, u jemi drejtuar njësive vendore për mundësinë e përfshirjes se ankimuesve në skemën e ndihmës ekonomike ose në pamundësi për ketë, në mundësinë e dhënies së një ndihme nga fondet e njësisë.
Gjatë vitit 2014, ndryshe nga vitet e mëparshme, shumica e problemeve janë trajtuar në vend, duke takuar vetë ankuesin e më pas në se duhej problemi është trajtuar ne institucionet përkatëse. Veçanërisht të gjitha ankesat e përcjella nga Kryeministria janë verifikuar në vend.
Gjatë punës së këtij viti janë hasur vështirësi me disa institucione, që përgjigjen me vonesë, ndër të cilat, ALUIZNI, që në shumë raste nuk i jep zgjidhje problemit”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





