· Selia vendore ka marrë dhe përgëzimet e SHQUP-it që mundi të bllokojë shefin e qeverisë, i cili po kthehej pas përurimit të shërbimit të “Kanalit të Gjelbër” në doganë që lehtëson së tepërmi bizneset
DURRËS, 27 janar 2015 – Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut Durrës-Krujë ka konfirmuar lajmin e “Dyrrah”-ut se, të hënën, më 26 janar 2015, ora 11.00 deri në orën 11.5, teksa po zhvillohej protesta e paralajmëruar nga dega e Partisë Demokratike për fikjen e mjeteve për 5 minuta, në shenje proteste për rritjen e çmimit të karburantit, po lëvizte eskorta e Kryeministrit Edi Rama. Blutë thonë se shpura e shefit të qeverisë u bllokua për pak minuta në afërsi të mbikalimit të kënetës, më pas ka vazhduar lëvizja pa problem. Organet ruajtjes së rendit vlerësojnë se “protesta e opozitës u zhvillua normalisht pa asnjë problem”.
Në këtë rast selia vendore e opozitës ka marrë dhe përgëzimet e SHQUP-it që arriti “t’ia mbledhë” kreut të shumicës qeverisëse, i cili po kthehej pas përurimit të shërbimit të “Kanalit të Gjelbër” në doganën e Durrësit, që lehtëson së tepërmi bizneset në procedurat e zhdoganimit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





