•   Presidenti i Teutës Edmond Hasanbelliu ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e skuadrës së Flamurtarit.

 26 janar 2015 –  Hasanbelliu ka marrë pjesë në analizën e ekipit durrsak pikërisht për këtë ndeshje dhe pas analizës presidenti i durrsakëve i është kundërpërgjigjur me një batutë akuzave të drejtuesve të Flamurtarit, të cilët një ditë më parë aluduan për një trukim të rezultatit:

“Ata tani duhet të gëzonin tani, sepse kanë fituar ndeshjen. Duhet të isha unë pala akuzuese. Madje, unë dyshoj se mos ka bërë ndonjë gjë Vlora te lojtarët e mi, mos m’i ka blerë ata. Duhet të dyshoj unë, jo të dyshojnë ata te ne”.

Hasanbelliu gjithashtu deklaroi se:

“Pasi kam biseduar me lojtarët mund të them se akuzat e Flamurtarit ndaj nesh nuk qëndrojnë sepse Teuta është shthurur në lojë, por kjo nuk kishte lidhje aspak me dyshime trukimesh apo çfarë është thënë tjetër. Ajo që më bën çudi është se akuzat vijnë nga Flamurtari që e ka fituar ndeshjen ndërkohë që të humbur kemi dalë ne. Mua më ka pëlqyer loja e ekipit deri në minutën e 88 dhe më pas sigurisht, loja u shthur totalisht dhe për këtë kemi kërkuar llogari në analizë. Por shthurja ka ardhur nga nxitimi për të dalë me kundërsulm pasi i gjithë Flamurtari ndodhej në fushën tonë dhe djemtë shikonin mundësi për të fituar por nuk u arrit pasi u bënë shumë gabime dhe kundërshtari përfitoi.

Pikërisht për ato 5 minutat shtesë kam pyetur portierin Osmani se cila ishte arsyeja e rivënies së topit me shpejtësi të atillë dhe ai më tha pikërisht se nxitonin për të dalë në kudnërsulm dhe për të provuar që Teuta ta fitonte ndeshjen se na duheshin tre pikët. Më shumë u mora me portierin, dhe ai me sinqeritet më tha se nga nxitimi dhe dëshira për të fituar ndeshjen, meqë këtë gjë ia kishim kërkuar ne drejtuesit, bëri edhe atë gabim. Por ai mendon se ka luajtur mirë. Në fakt mua m’u duk më shumë si shthurje, ai vërtet pasoi gabim, por më duket se edhe priti. Ekipi luajti mirë gjatë gjithë lojës por në minutat e fundit gaboi rëndë me atë shthurje në mbrojtje por që siç e thashë dhe siç doli edhe nga analiza që bëmë me lojtarët nuk kishte prapaskena tolerimesh por erdhi nga dëshira e ekipit për të dalë përpara që ta fitonte ndeshjen.

” Në fund, presidenti i Teutës hedh poshtë akuzat e administratorit të Flamurtarit, Idrizi, se ndeshjet e Kategorisë Superiore trukohen.

“Si shumë po fliten në Shqipëri këto trukimet, por na thoni se kush po i ble këto ndeshje, të cilat po u shitkan”, mbyll reagimin e tij Hasanbelliu.

Ndërkaq ndeshja e javës së 19 të Kategorisë Superiore, Flamurtari-Teuta ka përfunduar nën hetim nga prokuroria e qytetit të Vlorës, pasi dyshohet për paracaktim të rezultatit të kësaj sfide. 90 minutëshi i përfunduar me fitoren e Flamurtarit 2-1, solli reagimin e drejtuesve të klubit vlonjat. Ka qënë vetë administratori i klubit Flamurtari Sinan Idrizi që ka ngritur gishtin e akuzës, madje edhe në daljet për shtyp, duke kërkuar një hetim për gjithcka ndodhi në fushë nga minuta e 85 deri në përfundim.

Reagimi i parë vjen nga prokuroria e qytetit të Vlorës që ka nisur hetimet, duke analizuar 95 minutat e zhvilluara në fushë, si dhe duke konfiskuar kasetat nga kamerat e sigurisë në stadiumin Flamurtari. Prokuroria e qytetit të Vlorës i paraprin hetimit të komisionit të disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, pa patur nevojën e ndonjë kallzimi penal apo akuze të ngritur nga palët.