23 janar 2015 – Gjykata e Viarexhios (Viareggio) dënoi me 66 muaj burg dhe pagesën e një dëmshpërblimi prej 18 000 eurosh Roland Abazin. Ai u dënua për grabitje me armë, tentativë rrëmbim personi, tentativë zhvatjeje (gjobëvënie) dhe armëmbajtje pa leje. Rolandi ishte martuar me një italiane me të cilën kishte edhe një vajzë të vogël.
Në 16 dhjetor 2013, ai mendoi të bënte një dorë parash pa u lodhur. Kur vjehrri i vet doli nga piceria që kishte në pronësi, Rolandi e hipi në makinë dhe e çoi në një vend të izoluar jashtë qytetit.
Aty e kërcënoi me pistoletë të mbushur se do ta vriste nëse nuk i paguante 12 000 euro. Rolandi e kërcënoi se do i vriste edhe gruan (vjehrrën). Meqenëse vjehrri ishte i ri dhe i kishte prindërit gjallë, Rolandi e kërcënoi se do ia vriste edhe prindërit, nëse ai nuk do i jepte eurot. Pasi i mori 3000 euro, Abazaj e la të lirë vjehrrin duke i vënë një afat të shkurtër, që të paguante paratë.
Vjehrri vendosi që ta padiste dhëndrin bandit në karabinieri. Karabinierët e prangosën, duke gjetur edhe pistoletën e përdorur për grabitje. Tashmë, Rolandi jo vetëm që humbi familjen, por duhet të bëjë edhe 66 muaj burg.





