·        Dy subjekte u ndëshkuan për probleme me standardin e pikës së flakërimit apo përqindjes së squfurit dhe tre për mungesa ose mangësi të dokumentacionit tekniko-ligjor

DURRËS, 22 janar 2015 –  Inspektorati Qendror Teknik publikoi listën e subjekteve, ndaj të cilave janë marrë masa me gjobë për mosrespektim të detyrimeve dhe kërkesave ligjore sa u takon treguesve të cilësisë dhe sigurisë në tregtimin e lëndëve hidrokarbure. Gjatë muajit nëntor 2014, Drejtoria e Inspektimit të Naftës dhe Gazit ka vendosur masën e gjobës për 43 subjekte tregtimi, nga të cilat 4 në Durrës. Gjatë kontrollit në këtë muaj, në 31 prej këtyre subjekteve (2 në Durrës) janë konstatuar mungesa ose mangësi të dokumentacionit tekniko-ligjor, ndërsa për 12 raste ka pasur probleme me standardin e pikës së flakërimit apo përqindjes së squfurit (2 në Durrës).

Gjatë muajit dhjetor 2014, pas kontrolleve të ushtruara nga Drejtoria e Inspektimit të Naftës dhe Gazit janë vendosur 18 gjoba, nga të cilat 1 në Durrës. Gjatë kontrollit në këtë muaj në 11 raste u konstatua mungesë e dokumentacionit tekniko-ligjor dhe në shtatë raste probleme me treguesit e pikës së flakërimit dhe përqindjen e squfurit (dy në Durrës).

Inspektoriati Qendror Teknik garanton opinionin publik se është i vendosur të ushtrojë detyrën e tij për monitorimin e të gjitha subjekteve sa i takon respektimin e ligjit dhe do të ndëshkojë çdo rast abuziv. Në kuadër të transparencës me publikun, IQT publikoi prej muajsh rezultatet e kontrolleve dhe listën e subjekteve ndaj të cilave është vendosur masë ndëshkimore.

Kështu, më 24 nëntor 2914 u gjobitën për mungesë dokumenti teknik-ligjor AK OIL shpk në Manëz me 150 mijë lekë dhe GEGA CENTER GKG (GULF) në Vrin me 200 mijë lekë; kurse për mosrespektim të standardit të pikës së flakërimit apo përqindjes së squfurit u gjobitën DAMIN OIL shpk Shkallnur me 1, 5 milionë lekë dhe PETROL IMPEX sha te Shkëmbi i Kavajës me 2 milionë lekë.

Më 24 dhjetor 2014 u gjobit për mungesë dokumenti teknik-ligjor “Sun Petroleum Albania” shpk në Spitallë me 100 mijë lekë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/