22 janar 2015 –  Tri ditë para votimit, partitë politike greke po bëjnë çmos për të fituar sa më shumë vota. Beteja më e madhe është mes radikalëve të majtë të SYRIZA-s dhe konservatorëve të Demokracisë së Re, të udhëhequr nga kryeministri aktual, Antonis Samaras. Ky i fundit, gjatë një takimi elektoral në qytetin Patras, kë lëshuar edhe një deklaratë të fortë paralajmëruese për qytetarët e vendit të tij, nëse do të votojnë SYRIZA-n.

“Nëse ata vijnë në pushtet, do të bëhemi si Koreja e Veriut”,- tha Samaras. Kryeministri grek i ka rritur tonet ndaj kundërshtarit të tij politik, Alexis Tsipras, pasi sondazhet e fundit tregojnë një rritje të pëlqimit ndaj tij.

Nga ana tjetër, gjatë një mitingu në Athinë, Tsipras i bëri apel votuesve për t’i dhënë atij një mandat të fortë, pa qenë nevoja për të bërë koalicion. Sipas tij, një mbështetje e madhe, një votë e fortë për SYRIZA-n, do ta bënte qeverinë e ardhshme më të fortë për të negociuar me Trojkën.

26 janari, me shumë mundësi do ta gjejë Greqinë me një qeveri të re të kryesuar nga SYRIZA.  Alexis Tsipras do të jetë kryeministri më i ri në moshë në gjithë historinë e Greqisë dhe për më tepër ai nuk vjen nga ndonjë familje e njohur politike dhe dominuese në Greqi, sic janë familjet “Papandreu”, “Samaras”, “Miçotakis” apo “Karamalis”.

 /Lapsi.al /