DURRËS, 16 janar 2015 – Prej gati një jave, trafiku në Durrës është rënduar jashtëzakonisht duke ia nxirë jetën shoferëve dhe gjithë qytetarisë durrsake. Meqenëse 2015 është vit elektoral, Durrësi është shndërruar në një kantier gjigand ndërtimi. Fatkeqësisht për moskoordinim të punëve, dhe neglizhencë të firmave private, që po ndërmarrin këto punime, rrugë dhe sheshe kyc të Durrësit janë bllokuar totalisht. Jo vetëm në orët pik, (kur njerëzit shkojnë dhe kthehen nga puna apo kur marrin fëmijët në shkollë), por edhe gjatë pjesës tjetër të ditës trafiku është jashtëzakonisht i rënduar. Sheshi Liria në zemër të Durrësit dhe të tëra rrugët, që të cojnë në të janë të bllokuara. Në këtë shesh nuk qarkullojnë vetëm banorët, që banojnë pranë tij, por të gjithë banorët e Durrësit.
Në shesh apo afër tij janë zyrat kryesore të qeverisjes si Bashkia, Këshilli i Qarkut, Prefektura, Gjykata, Prokuroria, Zyra e Tatimeve si edhe selitë e dy partive politike kryesore. Durrësi dhe banorët e tij, qoftë edhe të lagjeve periferike si Shkozeti, Spitalla, Këneta etj janë të lidhur pazgjithshmërisht me detin dhe Portin, prandaj pikërisht ky fluks makinash nga gjithë Durrësi do të përplaset me bllokimin ea rtereve kryesore të qytetit nga firmat e papërgjegjshme, që me paratë e qytetarëve durrsakë po rikonstruktojnë rrugë e sheshe duke ia nxirë jetën pikërisht këtyre qytetarëve durrsakë. Krahas sheshit Liria për shkak të projetit të gabuar për shndërrimin e njërit prej bulevardeve në një rrugë gjysëm pedonale (këmbësore) dhe punimeve restauruese me skela, që zënë trotuarët në bulevardin tjetër edhe dy bulevardet e kanë ekstremisht të ngushtuar hapësirën për makinat. Rruga për në Vilën e Zogut po ashtu është në rikonstruksion duke e rënduar edhe më tej trafikun.
Është për të ardhur keq, që për t’i lehtësuar punën e pakësuar shpenzimet 3-4 firmave të ndërtimit, që kanë fituar jo pak pare të sigurta, para publike (në kohë krize madje), duhet tu merret shpirti mijëra durrsakëve duke u harxhuar kohë, duke u shkatërruar nervat, duke u harxhuar karburant shtesë e duke i ofruar qytetit ndotje shtesë nga makinat që bëjnë kilometra të tëra me marsh të parë e duke qëndruar me dhjetra herë “afolio”.
Mjafton, që nëpunësit e bashkisë të ndërhynin e t'u qëndronin në kokë këtyre firmave për të punuar me kriter, duke lënë korridore kalimi për makinat, që Durrësi të shpëtonte nga ky supertrafik sa sfilitës, aq edhe artificial. Nuk ka pse të paguajnë durrsakët, paaftësinë, dembelizmin apo edhe ndonjë bakshish të marrë nga burokratët e bashkisë nga këto firma ndërtimi. Z. Dako duhet ta mbajë mend vitin 2011, kur Ed Ramës Lulushi ia morri bashkinë për 10 vota(!?), ndër të tjera edhe për bllokimin e rikonstruksionit të Sheshit Skëderbej, dhe cfilitjes së tiranasve në trafik alla Bombej nga një firmë hajdute dhe e papërgjegjshme, që kishte bërë “dasëm” me fondet e akorduara me bujari nga ish-kryebashkiaku Rama. Pësimi i Ramës duhet të bëhet mësim për Kryebashkiakun Dako.
Policia bashkiake brenda kompetencave të saja ligjore duhet të ishte në krye të detyrës për të disiplinuar e lehtësuar sado pak trafikun. Fatkeqësisht policia bashkiake në këtë drejtim është inekzistente. Të vetmit, që po punjnë me orare të zgjatura e me shtesë efektivi janë policët e rendit (policia rrugore). Fatmirësisht koha me diell po I ndihmon disi durrsakët, po sikur të fillojnë shirat cfarë do të bëjnë policët e shkretë të rrugores, përvecse që të qullen deri në palcë! Po në rast shiu si do qarkullohet nëpër Durrës me helikopter apo me avionë privat të vënë në dispozicion nga kompania kineze, që dëshiron të blejë OSSH-në?!Në cdo kryqëzim rruge sheh policë të rrugores me mjete e në këmbë, që bëjnë c’mos për të rregulluar trafikun super të rënduar, që durrsakët e kanë peshqesh sa nga firmat tahmaqre të ndërtimit aq edhe nga vetkënaqësia dhe dembelizmi i burokratëve të bashkisë, disa prej të cilëve kanë që në dhjetor 2000, që ngrohin kolltuqet si pulat furrikun, po vezë meazallah se bëjnë!
/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





