16 janar 2015 –  Një nga të mbijetuarat e sulmit terrorist në revistën satirike franceze “Charlie Hebdo”, Sigolene Vinson, ka rrëfyer se si shpëtoi nga vrasja. Ajo thotë se ka qenë në kuzhinë duke përgatitur një kafe, kur dy vëllezërit Kouachi kishin hyrë brenda në redaksi.

“Dëgjova dy krisma, të gjithëve na e mori mendja se çfarë mund të ishte. Dëgjova të thoshin ‘mos lëvizni’ dhe u hodha në tokë. Nuk e ktheva kokën, sepse nuk doja të shihja vdekjen me sy dhe isha e sigurt se do të vdisja”, – ka thënë Vinson për “Le Monde”.

Vinson i ishte bashkuar pjesës tjetër të stafit, që gjendeshin në një zyrë tjetër ku dëgjohej gjithçka por nuk mund të shihnin asgjë. “Ata nuk gjuanin pa kontroll. Të shtënat shkonin njëra pas tjetrës. Ngadalë. Nuk u dëgjua asnjë britmë. Me siguri të gjithë i kanë zënë në befasi”. Vinson pohon të ketë dëgjuar hapa dhe më shumë të shtëna, kur njëri nga terroristët, i cili më vonë ishte identifikuar si Said Kouachi, kishte hyrë në zyrë dhe e kishte marrë në shenjë. “E shikova në sy. Kishte sy të mëdhenj, të errët. M’u duk sikur po e kërkonte emrin tim. ‘Mos u frikëso, – më tha, – qetësohu. Nuk do të të vras. Ti je femër, e ne nuk vrasim femra. Por, mendo se çfarë po bën. Ajo që po bëni është e keqe. Po të kursej dhe, pasi të kurseva, ti do të lexosh Kuranin'”, – rrëfen Vinson.

“E tunda kokën, që të mund të krijoja një lloj kontakti. Nuk doja ta humbisja kontaktin me sy, sepse e dija që njëri nga redaktorët, Jean-Luc, ishte nën tavolinë. Isha e sigurt që nëse ai nuk vret femra, patjetër që do të vriste meshkuj”. Vinson rrëfeu se i është dashur të kalonte mbi trupat e kolegëve të saj për të marrë telefonin në xhepin e palltos në mënyrë që të thërriste ambulancën. “Ejani shpejt në ‘Charlie’. Të gjithë janë të vdekur… të gjithë”, – i kishte thënë shërbimit emergjent në telefon.