· Kalon dhe projektvendimi për propozimin e dhënies së ndihmës ekonomike për periudhën 1-31 janar 2015 për 423 familje
DURRËS, 15 janar 2015 – Të mërkurën, më 14 janar 2014, në sallën e mbledhjeve të “parlamentit” të qytetit, u zhvillua mbledhja e parë e Këshillit të bashkisë së Durrësit për vitin 2015. Kishte një pjesëmarrje të kënaqshme dhe nga opozita, dhe pse paralelisht, PD-ja dhe një OJQ që mbron shatërvanin e hequr, po zhvillonin një protestë kundër qytetarit nr. 1 Vangjush Dako. Ky i fundit erdhi me vonesë në mbledhjen e lajmëruar në orën 17:00.
RENDI I DITËS
Mbledhjen e hapi spikeri i “parlamentit” qytetës, Alban Ramohitaj. Ai njoftoi rendin e ditës: Projektvendimi për miratimin e buxhetit të Bashkisë Durrës për vitin 2015; Projektvendimi për propozimin e dhënies së ndihmës ekonomike për periudhën 1-31 janar 2015 (për 423 familje). Ishin bërë dhe dy shtesa në rendin e ditës: Projektvendim për shqyrtimin dhe miratimin e ndryshimit të pikës 2 të Vendimit të Këshillit të Bashkisë nr. 2012, datë 10 korrik 2014 “Për krijimin e Këshillit Kulturor pranë Bashkisë Durrës”, për sa i përket zëvendësimit [të të ndjerit] z. Agron Ismailati, [ish-]anëtar në Këshillin Kulturor të Bashksië Durrës, me z. Dritan Babamusta; Projektvendim për ngritjen dhe funksionimin e Komisionit Këshillimor për dhënien e titujve vendorë pranë Bashkisë Durrës.
OPOZITA
Pasi u dha pëlqimi për 3 nga 4 pikat e rendit të ditës dhe nga opozita, e mori fjalën kryetari i grupit të PD-së, Zamir Ramadani, i cili tha se po shfrytëzonte praninë e medieve, për të lexuar kërkesën, drejtuar zz. Ramohitaj dhe Dako, për shtyrjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak, të datës 14 janar 2015, me rend dite “Për miratimin e buxhetit të Bashkisë Durrës për vitin 2015”. Ramadani argumentoi se “miratimi i buxhetit për vitin 20-15, i përgatitur nga organi ekzekutiv i Bashkisë Durrës, duhej të ishte shoqëruar për miratim në Këshillin Bashkiak së bashku me projektvendimin për mbylljen e buxhetit të vitit 2014. Së dyti, njoftimi për mbledhje në komisionet e përhershme nuk është bërë për të gjitha komisionet, që rrokin fushën e veprimtarisë së tyre në zërat e buxhetit të Bashkisë për vitin 2015, por ai është bërë tërësisht i reduktuar, sepse njoftimi për mbledhje është bërë vetëm për një komision, që është komisioni i financave, buxhetit dhe taksave vendore”. Në këtë dokument silleshin argumente ligjore dhe kishte disa konstatime për buxhetin dhe të ardhurave. Është interesante që edhe pse shkruhej: “shpresojmë të gjejmë mirëkuptimin tuaj për të organizuar mbledhjen e planifikuar të Këshillit Bashkiak në një kohë të përshtatshme për organin ekzekutiv të bashkisë”, Ramadani provokonte në fund të shkresës së tij: “Ky buxhet të mos përdoret si një mekanizmin nga Kryetari në ikje i Bashkisë duke lënë një gropë të hapur kundër interesave të qytetarëve durrsakë”.
KRYEBASHKIAKU
Kryebashkiaku Vangjush Dako e konsideroi letrën si kërkesë politike për të mbajtur peng qytetin e Durrësit:
“Iku ajo kohë kur ju bënit si të donit. Tani jemi ne. Buxheti është hartuar në kohë rekord, teksa më parë shtyhej deri në mars dhe më tej”.
Dako ka akuzuar PD-në, që kur kishte shumicën në këshillin bashkiak, për 5-6 vjet ka bllokuar miratimin e buxhetit në kohë. Dako e konsideroi dhe teknikisht të papranueshme kërkesën e opozitës për shtyrjen e mbledhjes, pasi realizimi i buxhetit të vitit 2014 (me muajin dhjetor) do të rakordohet me Thesarin në kufirin e 23 janarit 2015. Qytetari nr. 1 i Durrësit i këshilloi opozitarët të mbështeteshin në realizmin e 11-mujorit 2014. Pas 23 janarit 2015 mund të bëhet dhe analiza e 2014-ës, nëpërmjet transparencës, por buxheti i vitit 2016 nuk ka pse të shtyhet. Pati disa replika Dako-Ramadani. Kurse kryetari i Këshillit të Qarkut, njëkohësisht dhe kreu i PS-së vendore Alfred Mullaraj, i kujtoi z. Ramadani, ish-drejtor i Hekurudhave dhe ish-drejtorit të Portit Eduard Ndreu të jepnin llogari për vonesat disavjeçare për ndërtimin e rrugës paralel me portin dhe stacionin hekurudhor.
Paskëtaj grupi i këshilltarëve të djathtë u largua nga mbledhja. Me disa propozime të këshilltarëve Mullaraj, Ledion Lako, Vasip Habili u kalua në votim dhe buxheti mori 26 vota të të pranishmëve, përfshirë edhe ato të tre përfaqësuesve të PDIU-së.
Plani i shpenzimeve kapitale për vitin 2015 i shton qytetit të Durrësit rreth 691 milionë lekë gjithsej: 458 milionë lekë investime në rikonstruksione rrugësh e hapësirash publike, 94 milionë lekë për rikualifikime urbane, 12.5 milionë lekë në arsim e sport, 100 milionë leke në ndërtimin e banesave sociale.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





