15 janar 2015 –  Nga sezoni i ardhshëm në Serinë A do të hyjë në përdorim teknologjia në vijën e portës.  Rrugëtimi ka nisur dhe kjo zgjedhje është e pashmangshme. Këto janë fjalët e Carlo Tavecchios, presidentit të Federatës Italiane të futbollit, që i hap rrugë përdorimit të teknologjisë në futbollin italian, për të kuptuar nëse topi e kalon ose jo vijen fatale. I nisur para dy muajsh dhe i konsultuar edhe me FIFA-n, ky projekt është drejt përfundimit dhe nga sezoni 2015-2016 do të zbatohet në të gjitha fushat e Serisë A.

Në një komunikatë për shtyp, Federata Italiane e Futbollit ka bërë të ditur se është mbledhur grupi i punës, i ngritur nga Këshilli i Federatës që më 17 dhjetor, për të studiuar modalitetet teknike për përdorimin edhe në Itali të teknologjisë në futboll. Sipas presidentit Carlo Tavecchio, deri në prag të sezonit të ardhshëm do të jetë koha e mjaftueshme për aplikimin e teknologjisë në vijën e portës, që do të shmangë shumë polemika në futbollin italian, mbi rastet e dyshimta nëse topi e ka kaluar ose jo vijën fatale. Edhe kampionate te tjera të rëndësishme në Europë si Premier Liga dhe Bundesliga kanë vendosur ta përdorin teknologjinë në futboll, që rezultoi mjaft e suksesshme edhe gjatë botërorit Brazil 2014.