DURRËS, 15 janar 2015 – Një opozitë që “lan gojën” edhe në miting edhe në “parlamentin” e qytetit, sikurse ndodhi në të dy “ndeshjet” simultane, në mbrëmjen e së mërkurës, më 14 janar 2015.
PA BOSHT
E fshehur pas OJQ-së “Lëvizja qytetare në mbrojtje të Shatërvanit të Durrësit” (si PKSH-ja në vitet 1944-1948 pas Frontit Demokratik), PD-ja mblodhi a s’mblodhi 150 veta në rripin e ngushtë midis shkallëve të pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” dhe “barrikadës” së automjeteve të firmës së rikonstruksionit të sheshit “Liria”. Drejtues dhe folës të tubimit simbolik ojëqëist-demokratik flisnin, pa ndonjë bosht, për gjithçka u vinte në mendje: kundër heqjes së shatërvanit, për gjelbërimin, det të pastër, politika sociale për të varfrit dhe të pastrehët, rrugët e investimet, buxhetin dhe largimin e kryebashkiakut Vangjush Dako 5 muaj para zgjedhjeve vendore.
Pjesëmarrja e vogël e elektoratit opozitar shpjegohet edhe me fërkimet e brendshme në strukturat e degës së PD-së. Ende nuk është siguruar kohezioni, pasi krerët e rinj nuk kanë analizuar disfatën e Ferdinand Xhaferrajt përballë Dakos katër vjet më parë. Kjo dhe për shkak të “sabotimit” nga lufta e fraksioneve.
“ATLLARËT”
Ndërsa pritej një përplasje e fortë për projektbuxhetin e bashkisë së vitit 2015, PD-ja zgjodhi bojkotin, që i interesonte shumicës për të mbaruar shpejt mbledhjen. Paralelisht me tubimin, po më 14 janar 2015m ora 17:00, zhvillonte punimet mbledhja e parë e këshillit bashkiak për vitin 2015 dhe nuk shkonte që “atllarët” blu të qytetit të mungonin në miting. Por mbledhja filloi me vonesë. Pas një leximit të një kërkese për shtyrjen e mbledhjes që nuk u pranua nga shumica dhe “kryetari në ikje i bashkisë” (edhe i kërkohet mirëkuptim, edhe i thuhet nga PD-ja se Dako është në ikje, sikurse ishte një parullë në tubim), përfaqësuesit e opozitës u larguan mes buzëqeshjeve. Kur dolën nga ndërtesa e “qeverisë” së qytetit, tubimi ishte mbyllur! Nënteksti: “lamë gojën” para partisë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





