15 janar 2015 –  Pas deklaratës së familjarëve të Enver Hoxhës se nipi i tyre, Ermal Hoxha, është arrestuar me qëllim për të njollosur më tej figurën e udhëheqësit komunist, ka reaguar në përmes një statusi në Facebook edhe deputetja demokrate, Mesila Doda. Ja çfarë thotë Doda:

“Horri nuk bëhet dot Fis.

Familja e të akuazuarit për narkotrafik Ermal Hoxha, reagon sot dhe thotë se akuzat bëhen për të diskredituar emrin e Enver Hoxhës. Me sa duket pafytyrsia nuk paska fund për disa njerëz.

Besoj se nuk ka asnjë nevojë për të diskredituar akoma emrin e Enver Hoxhës sepse nuk ka asnjë personazh tjetër më të zi e më të urrryer në historinë e shtetit shqiptar, si njeriu që e privoi këtë vend nga gjysmë shekulli histori normale njerëzore, si njeriu që vrau e dogji kombin e vet, shkak edhe sot që ky vend vazhdon të mbetet peng i komunistëve dhe krimit.

Të mbrohesh pas një mostre diktatori të vdekur eshte edhe më keq, dhe më e pamoralshme se te justifikosh krimin ordiner.

Krimi me sa duket, është bërë një kostum që i shkon për shtat brez pas brezi disa njerëzve. Përkundër kësaj, më vijnë nder mend qindra shembuj pinjollësh të dyerve të nderuara të këtij vendi, të cilët pasi u rritën internimeve e burgjeve sepse gjyshi kriminel kishte vendosur ti shprishte ADN këtij vendi dhe ti zhdukte cdo pjesëz të memorjes historike, sot janë shembuj të shkëlqyer në Evropë dhe në botë, në art, shkencë e politike.

Mbesa e Musine Kokalarit kandidon për deputete në Suedi, nipi i Enver Hoxhës kandidon për trafiqe në Shqipëri.

Shkoi haka te i zoti. Bari nuk bëhet dot lis, dhe horri nuk bëhet dot fis”, shkruan Doda.