15 janar 2015 –  Deputeti malazez Koca Pavlloviç, duke shfrytëzuar foltoren e parlamentit malazez i kërkoi hesap Ministrit malazez të Punëve të Jashtme Igor Luksiç për deklaratën e djeshme të Presidentit Nishani. Deputeti Pavlloviç nga Zhabjaku i tërhoqi vëmendjen ministrit për deklaratën e bërë nga Presidenti Nishani, mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në kuadrin e një Evrope të bashkuar.

Ai nguli këmbë, që një deklaratë e tillë e Nishanit është në sintoni të plotë me axhendën e Shqipërisë së Madhe apo edhe të Shqipërisë Natyrale. Kjo deklaratë dhe këto axhenda, sipas deputetit Pavlloviç, prekin direkt sovranitetin dhe tërësinë territoriale të shtetit të Malit të Zi.

Pyetjet e deputetit të Partisë "Lëvizja për ndryshim" e bënë edhe më të ndezur e më të tendosur situatën politike në Mal të Zi në vigjilje të vizitës së Ministrit të Jashtëm të Republikës së Kosovës në Podgoricë. Ministri Hashim Thaçi, i cili është edhe zv/kryeministër dhe ish-kryeministër i Kosovës me vizitën e tij të ardhshme, thjesht i ka vënë zjarrin skenës politike malazeze, duke rritur temperaturën e afsheve shovinisto-çetnike të qarqeve të caktuara politike malazeze.

/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/