· EKSKLUZIVE Para një viti Greqia përdori ligjin anti-blasfemi për të dënuar me 10 muaj burg një 27-vjeçar që satirizonte shenjtorin, prandaj tingëllon provokues vendimi i Bartolemeut I në kulmin e indinjatës botërore për sulmin ndaj gazetës satirike franceze “Charlie Hebdo”
DURRËS, 14 janar 2015 – Edhe pse selinë e vet Patrikana ortodokse e ka në Stamboll, ajo guxon të sfidojë Turqinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke shpallur shenjtor një murg si Atë Paisios. Jo vetëm kaq, Bartolemeu I i Konstanopojës sfidon dhe “Je suis Charlie", pasi për një faqe FB-u satirike “Gerontas Pastitsios. Pastitsios Pastafarian” policia greke në vitin 2012 arrestoi një të ri grek 27-vjeçar me akuzën e blasfemisë ndaj Atë Paisios / Atë Pastiço-s, kjo me kërkesë të partisë neo-naziste Agimi i Artë (para një viti, më 16 janar 2014 një gjykatë e dënoi me 10 muaj burg, ndonëse prokuroria kërkoi një masë më të butë ).
MEGALIIDHEA
Shtypi grek njofton me entuziazëm se të martën, më 13 janar 2015, Atë Paisos i Malit të Athosit (emri i lindjes Arsenios Eznepidis, 1924–1994) u kanonizua nga Patriku Bartolemeu I i Kostantinopojës, si dhe u pranua njëzëri nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Greke.
Tërheq vëmendjen fakti se ky shenjtor ka predikuar që një luftë me Turqinë do të çojë në restaurimin e Greqisë së Madhe, e cila përfshin Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bizantin (Stambollin), si dhe një konvertim masiv të turqve nga feja islame në atë ortodokse. Ky deklarim apo “profeci” ka shkaktuar polemika të mëdha.
BLASFEMIA
Para rreth 3 vjetësh, më 21 shtator 2012, një shtetas grek u arrestua nga antikrimi kibernetik me akuzën për blasfemi keqdashëse dhe fyerje të besimit fetar për shkak të krijimit të një faqeje satirike në Facebook të quajtur “Gerontas Pastitsios. Pastitsios Pastafarian”. Faqja satirizonte përdorimin komercial të trashëgimisë së Paisios-it. Çështja u ngrit në parlamentin grek nga deputeti Kristos Papas i partisë neonaziste Agimi i Artë.
Blasfemia në Greqi dënohet me gjobë deri 3 mijë euro dhe deri në 2 vjet burgim. Një peticion drejtuar parlamentit grek kërkonte lirimin e menjëhershëm të njeriut të akuzuar dhe heqjen e ligjeve anti-blasfemi në Greqi. Me gjithë protestat e partive të majta, qarqeve të tjera përparimtare në Greqi dhe jashtë saj, më 16 janar 2014 krijuesi i faqes origjinale në internet “Gerontas Pastitsios. Pastitsios Pastafarian” u shpall fajtor për "fyerje në mënyrë të përsëritur të fesë” dhe u dënua me dhjetë muaj burg, vendim që u pezullua, ndërsa prokurori i kishte rekomanduar një dënim më të vogël.
ZOTI NUK KA NEVOJË TË MBROHET NGA KODI PENAL
Madje dhe gazeta e madhe amerikane “The Christian Science Monitor” botonte, në tetor 2012, një shkrim me titull “Blasfemi në vendlindjen e demokracisë? Greqia arreston një përdorues Facebook-u”. Sipas kësaj medieje, legjislacioni kundër blasfemisë ka qenë subjekt i një debati të nxehtë javët e fundit [tetor 2012] në botë, veçanërisht në botën myslimane, ku ligjet e tilla janë të zakonshme. Por polemika e fundit nuk është diku në botën myslimane, është djepi i qytetërimit perëndimor: Greqia.
Greqia është ndër vendet e pakta në Bashkimin Evropian me ligje në veprim kundër blasfemisë.
“[Ligji] ka probleme”, citon “The Christian Science Monitor-“ George Katrougalos-in, profesor i së drejtës publike në Universitetin “Demokritos” të Trakës. “Për më tepër, sipas Kushtetutës [greke] mbrohet liria e fjalës, sikurse dhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Qëllimi i ligjvënësit ka të bëjë me mbrojtjen e minoriteteve në përgjithësi, ose madje edhe të qetësisë publike”. Profesor Katrougalos nënvizon: “Natyrisht, ligji është irracional, pasi Perëndia / Zoti nuk ka nevojë të mbrohet nga kurrfarë kodi penal”."
Në këtë kontekst, tingëllon provokues vendimi i Patrikanës së Stambollit në kulmin e indinjatës botërore për sulmin ndaj gazetës satirike franceze “Charlie Hebdo”, ku u vranë 12 veta.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





