13 janar 2015 –  Pak nga pak bien dhe siluetat e fundit të dyshimeve, atyre që mund të kishin mbetur dhe gjithcka shkon drejt një zyrtarizimi që shënon një precedent të rëndësishëm në historinë e futbollit italian, dhe akoma më shumë për atë shqiptar. Është realisht Rezart Taçi pronari i ri Parmës, duke u bërë kështu i pari Shqiptar që zotëron një klub të Serisë A. Për të shuar dhe dyshimet e fundit ka shërbyer vizita e motrës së biznesmenit shqiptar, Anika Tacit në zyrat e qendrës stërvitore të Parmës në Collecchio. Sic raportojnë mediat italiane , vecanërisht ato që janë shumë pranë klubit emiljan, të cilat përcjellin edhe fotot ekskluzive të vizitës, Anika Taci pasi ka takuar futbollistët dhe stafin për të njohur ambientein dhe familjarizuar me lojtarët dhe personelin e Parmës, është mbyllur në zyrat e klubit për të analizuar bilancet dhe llogaritë.

Administrimi i klubit tashmë i është besuar njerëzve të Tacit, dhe nëpërmjet motrës së tij po merr në duar drejtimin e Parmës në mënyrë graduale. Brenda muajit, Rezart Taci do të marrë edhe zyrtarisht Presidencën e Parmës duke shënuar një precedent të rëndësishëm, atë të të parit shqiptar që ka në pronësi dhe drejton një klub të Serisë A. Parma ndërkohë ka zyrtarizuar edhe blerjen e Andi Lilës që tashmë është federuar me klubin e ti të ri dhe mund të bëjë debutimin e tij në futbollin italian, këtë të mërkurë në ndeshjen e Kupës së Italisë, kundër Cagliarit. Në komunikatën e zyrtarizimit të Andi Lilës , Parma e prezanton atë me krenari si një pikë referimi në kombëtaren shqiptare të futbollit ndërkohë që bën të ditur se futbollisti kavajas do të mbajë fanellën me numër 3.