DURRËS, 13 janar 2015 – Ish-Presidenti Sali Berisha donte të zhdukte botuesin Filip Çakuli për një karikaturë. Nëse kishte person, prania e të cilit në marshimin e Parisit ishte më e përligjura dhe nga pikëpamja vetjake, ai ishte shkrimtari dhe publicisti Filip Çakuli, i cili rreth 20 vjet më parë u rrëmbye nga policia sekrete e Gazidedes për t’u asgjësuar. Thjesht për një karikaturë në revistën “Hosteni”, ku kryetari i shtetit Sali Berisha paraqitej mes dy “prostitutave”, Skënder Gjinushi dhe Neritan Ceka, në atë kohë në aleancë me PD-në.
Këtë histori ka shtjelluar publicisti dhe botuesi Mero Baze në editorialin e 13 janarit 2015 të “TemA”-s, Mes të tjerave, Mero Baze tregon:
“Atë pasdite maji të vitit 1995, disa policë të forcave speciale po afroheshin në formacion luftimi drejt derës së shtypshkronjës “Eurorilindja”. Menduam se do të ishte ndonjë ngjarje kriminale. Por, në fakt rrethimi u ngushtua para derës dhe më pas një prej njerëzve të policisë kërkoi pronarin e shtypshkronjës. Kërkohej tirazhi i revistës “Hosteni” që ishte në shtyp. Hyrën brenda dhe polici civil mori disa kopje. I pa i çuditur dhe filloi t’i shfletonte me shpejtësi në kërkim të diçkaje që askush nuk e dinte çfarë ishte.
-Nuk është kjo, – tha. – Ku është kopertina?
Pak orë më vonë e mësuam të vërtetën. Shërbimi Informativ dhe Policia e Shtetit ishin vënë në ndjekje të botimit të revistës “Hosteni” pasi presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, ishte informuar se në faqe të parë të saj ishte një karikaturë e presidentit me dy prostituta. Në mbrëmje policia shkoi në shtëpi të botuesit të saj, Filip Çakuli, dhe e arrestoi. Nën shoqërinë e njerëzve të policisë dhe SHIK-ut, shkoi në redaksi dhe ua tregoi. Ishte ashtu siç e prisnin: Berisha lakuriq dhe “dy prostituta” anash tij. Vetëm se prostitutat quheshin PSD dhe PAD, dhe ishin ilustruar me portretin e Skënder Gjinushit dhe Neritan Cekës, përkatësisht kryetar të PSD-së dhe PAD-së”.
Interesimi i bashkëshortes, ndërhyrja e organizmave ndërkombëtarë, Këshillit të Evropës e detyruan Berishën të lironte të nesërmen botuesin nga burgu.
Baze vë në dukje: “Është e vërtetë se në gjithë botën ka shumë hipokrizi në ngushëllimet për Charlie, por vetëm në një vend tjetër evropian, përveç Francës, dikush ka ndëshkuar një gazetar me burg për karikaturat.
Dhe ai është Sali Berisha. Ata që bënë gjëmën në Francë, kanë vdekur. Ky, për të zezën e tij, është ende gjallë dhe kutërbon”.
Madje, duhet shtuar fakti që Berisha, jo vetëm nuk është penduar me arrestimin e Çakulit, por vazhdoi t’i shtrembërojë emrin e ta quajë Çakalli.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





