* Mesazhet e bashkëjetesës dhe tolerancës fetare fill pas ngjarjeve tragjike të Parisit në monodramën e interpretuar nga Nderi i Kombit
DURRËS, 13 janar 2015 – Aktori i famshëm durrsak Mirush Kabashi, i cili kohët e fundit u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, pas 10 ditësh do të jetë në Gjenevë të Zvicrës për të prezantuar monodramën “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”. Shfaqja e kësaj pjese të njohur për mesazhet e saj mbi tolerancën dhe bashkëjetesën mes komuniteteve me besime të ndryshme fetare vjen menjëherë pas ngjarjeve tragjike në Paris dhe prezantimi i saj është mundësuar nga bashkësia e shqiptarëve që jetojnë në Zvicër.
Siç bëjnë të ditur burime nga komuniteti shqiptar i Gjenevës, aktori i mirënjohur ka pranuar ftesën e organizatorëve dhe më 24 janar 2015 do të sjellë në skenën e “Theatre Salle Centrale Madeleine” të Gjenevës novelën e dramatizuar të shkrimtarit dhe filozofit francez me origjinë hebre Eric Emmanuel Schmitt.
Kjo pjesë, e përkthyer në më shumë se 30 gjuhë të botës, dëshmon shpirtin human, duke bërë thirrje për tolerancë e mirëkuptim në mes komuniteteve dhe grupeve fetare.
Premiera e veprës, së interpretuar nga Mirush Kabashi, i përket nëntorit të vitit 2008 në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, në skenën e të cilit aktori durrsak punoi për më shumë se 23 vjet. Kabashi, i cili përshtati për teatër novelën e shkruar nga Eric Emmanuel Schmitt, e ka shfaqur ndërkohë më shumë se 30 herë monodramën “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” në qytete të ndryshme të Shqipërisë, si në Tiranë, Durrës, Shkodër, Kavajë, etj. Vitin e kaluar në kuadër të Ditëve të Frankofonisë ai ishte i ftuar në qytetet e Prishtinës dhe Gjakovës (Kosovë), ndërsa më parë ishte prezantuar edhe në Ulqin (Mali I Zi) dhe në Toronto (Kanada).
Info
Mirush Kabashi, me një karrierë 45-vjeçare, numëron mbi 100 role në teatër dhe më shumë se 20 të tjerë në kinematografi. Aktori që ka lëvruar me shumë sukses edhe recitimin dhe prezantimet televizive identifikohet më së shumti me kryerolin e Sokratit në monodramën e përgatitur prej atij vetë “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, pamflet i shkruar nga Kostas Varnalis. Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi, është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës.
Mirush Kabashi, i cili në fund të vitit 2014 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i merituar”dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





