12 janar 2015 –  Eshtë ai, Cristiano Ronaldo lojtari më i mirë në planet për vitin 2014. Portugezi triumfoi në natën emocionuese të ceremonisë Gala në Zyrih duke rrëmbyer trofeun e lojtarit më të mirë në botë për vitin që lamë pas. Për herë të tretë Ronaldo fiton këtë trofe pas atyre në 2008 dhe 2013 duke lënë pas portierin gjerman Neuer dhe rivalin e përjetshëm argjentinas Lionel Messi.Ronaldo në vitin 2014 ka shënuar 54 gola në 55 paraqitje për Realin dhe Portugalinë. Ronaldo nga 54 gola, 10 i ka realizuar nga penalltitë, ndërsa ka asistuar 18 herë dhe theu rekordin për më së shumtë gola të shënuar në Ligën e Kampionëve gjatë një edicioni me 17. Ronaldo fitoi “Këpucën e Artë” për golat e shënuar në Europë, Spanjë dhe Ligën e Kampioneve. Ronaldo barazoi rekordin e Telmo Zarras dhe Alfredo Di Stefanos për më së shumë tre golësha të shënuar në La Liga.

Dështimi i vetëm i Ronaldos ishte Botërori i Brazilit, ku Portugalia nuk mundi të kalojë as fazën e grupeve. Në vendin e dytë u rendit Mauel Nojer, i përfshirë për herë të parë treshen kandidate për të fituar “Topin e Artë”. Vendin e tretë e mori Lionel Mesi, i cili dështoi me Barcelonën, ndërsa me Argjentinën arriti deri në finalen e madhe, por që fitoi  vetëm titullin si lojtari më i mirë i kampionatit, pasi shënoi katër gola. Mesi shënoi 46 gola në 59 ndeshje për klubin dhe kombëtaren, 7 ishin me penallti dhe 21 asiste. Ndërsa perla e James Rodriguez ndaj Uruguait në Botërorin e Brazilit është goli më i mirë i vitit 2014. Ylli i Real Madridit fitoi çmimin Puskas të FIFA-s në ceremoninë gala të Zyrihut. Kolumbiani me kontrollin e tij elegant dhe gjysmërrotullimin e finalizuar me goditjen fantastike në ndeshjen me Uruguain mposhti konkurencën e fluturimit të mrekullueshëm të Van Persie në sfidën me Spanjën ndërsa në garë këtë vit për cmimin që mban emrin e legjendarit hungarez ishte dhe një futbolliste femër, Stephani Rocher për një gol të mrekullueshëm të shënuar. Në ceremoninë e Topit të Artë është shpallur edhe formacioni më i mire. 23.383 vota nga lojtarë profesionistë nga 60 vende të ndryshme për skuadrën më të mirë të vitit 2014 ku surpriza më e madhe është mbrojtësi i Paris Saint Germain, David Luiz. 4-3-3 është skema ideale për skuadrën ideale të FIFA-s dhe FIFPro ku Manuel Neuer ruan katërkëndëshin pas suksesit në Botëror dhe formës së shkëlqyer të treguar me Bayernin e Mynihut gjatë vitit të shkuar. Gardiani gjerman nuk kishte konkurrentë në rolin e tij. Në mbrojtje, përveç surprizës Luiz, në qendër të mbrojtjes rreshtohet braziliani tjetër Thiago Silva ndërsa krahët i mbulojnë Filip Lahm dhe Sergio Ramos.

Ky është viti i pestë që spanjolli vendoset në formacionin më të mirë. Dominimi në formacionin e vitit te FIFPro ka nuanca bavareze dhe madrilene pasi në treshën e mesfushës rreshtohen Angel Di Maria, tashmë te Manchester United, Andres Iniesta dhe Toni Kroos ku ky i fundi pas disa sezoneve stratosferike me Bayernin e Mynihut zgjodhi eksperiencën spanjolle me Realin e Madridit. Gjigandët e Bundesligës e furnizojnë formacionin e vitit me një tjetër emër. Ai është holandezi Arjen Robben që shoqëron të përhershmit Cristiano Ronalo dhe Lionel Messi. Në total, Reali dhe Bayerni përfaqësohen me nga tre futbollistë, ndërsa Barcelona me dy. Fifa dhe FIFPro e caktojnë ekipin më të mirë të vitit në bazë të një votimi që bëhet nga futbollistët profesionistë në të gjithë botën. Lista paraprake përbëhej nga 55 kandidatura me 5 portierë, 20 mbrojtës, 15 mesfushorë dhe po kaq sulmues.

Po kështu, Joachim Loew mund Carlo Ancelottin dhe Diego Simeonen për të rrëmbyer çmimin e FIFA-s të trajnerit më të mirë të vitit 2014. Gjermani mori nga duart e Otmar Hitzfield dhe gjithcka i dedikohet suksesit fantastik të arritur në Brazil ku Gjermania e tij u shpall me meritë Kampione e Botës. Cmimi flet per te dytin vit rradhazi gjermanisht duke qene se edhe edicionin e kaluar u fitua nga Jupp Heynckes, fitues i Champions League me Bajernin e Mynihut.

Modest deri në fund, Joachim Loew deklaroi se nuk mendon se është ai trajneri më i mirë duke ja dedikuar këtë sukses, futbollistëve të Gjermanisë dhe gjithë bashkëpunëtorëve të tij. Falë suksesit në Botëror sot Loew shijon një vlerësim të tërin për të, është trajneri më i mirë i Botës. Ndërsa një tjetër gjerman, Ralf Kellermann u zgjodh trajneri më i mirë për femrat për 2014.  Ndërsa “Topi i Artë” për femra, fitohet nga gjermania Nadine Kessler.