12 janar 2015 – Juventusi theu më në fund tabunë "San Paolo" duke fituar pas 15 vjetësh në transfertë me Napolin e duke zyrtarizuar dhe titullin simbolik të kampionit të dimrit, por suksesi i bardhezinjve në qytetin jugor ka ndezur një lumë polemikash në distancë mes dy klubeve. Presidenti i Napolit De Laurentis dhe trajneri i bardhezinjve Massimiliano Allegri kanë replikuar në distancë duke dhuruar këtë herë një "show" deklaratash. Numri 1 i klubit të kaltër nëpërmjet faqes së tij në rrjetin social Twitter ka shpërthyer në akuza ndaj Juventusit por më shumë ndaj arbitrave. De Laurentis ankohet për golin e realizuar nga Martin Caceres që i dha Juventusit avantazhin 2-1 dhe në fakt ka të drejtë pasi pamjet televizive treguan qartë që në momentit harkimit në zonë të topit nga Andrea Pirlo si uruguaini ashtu edhe Chielini ishin dukshëm në pozicion jashtë loje. Jemi lodhur shkruan presidenti i Napolit në Twitter, ndërkohë De Laurentis vijon edhe më tej, Juventusi është një skuadër shumë e fortë dhe nëse ka edhe ndihmën e arbitrave shndërrohet në një ekip të pamposhtur.
Por producenti i famshëm i filmave në Apenine nuk ndalet me kaq pasi në komentin tjetër në Twitter sulmon drejtëpërsëdrejti arbirtrat e sfidës ku kryesor ishte Paolo Tagliavento ndërsa asistentë të tij Liberatore dhe Passeri. Është e paimagjinueshme sesi 6 arbitra nuk mund të shikojnë dy futbollistë të Juventusit në pozicion të dukshëm jashtë loje shkruan De Laurentis duke iu referuar Caceres-it dhe Chielinit. Këta arbitra ose e bëjnë me qëllim dicka të tillë ose janë të pafatë thekson më pas presidenti i Napolit.
65-vjeçari mbyll gjithcka me një tjetër koment në Twitter ku u kërkon zyrtarëve më të lartë të federatës italiane të dënojnë të gjithë arbitrat që ishin pjesë e ndeshjes Napoli-Juventus. Megjithatë në kampin kundërshtar nuk qëndruan pa i kthyer një përgjigje presidentit të skuadrës së kaltër dhe ishte trajneri i Juventusi Massimiliano Allegri ai që ju kundërpërgjigj De Laurentis-it. Kam parë një Tagliavento që e drejtoi sfidën në mënyrë të shkëlqyer deklaroi tekniku i bardhezinjëve, ndërkohë që 47-vjecari nga Livorno theksoi gjithashtu në përfundim të intervistës së tij se numri 1 i Napolit nuk duhet të ngrejë tonin dhe të ushqejë kulturën e dyshimit.





