DURRËS, 12 janar 2015 –  Ndërsa po punohet për arkëtimet, vjen puna që drejtoria rajonale e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) e Durrësit nuk ka arritur të hedhë ende në sistem edhe pagesa të muajit tetor 2014, duke shtuar artificialisht numrin e debitorëve.

Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare Majlind Lazimi (në foto) deklaroi se në filialin e Postës Shqiptare të Durrësit, nga muaji tetor 2014 dhe deri tani, zyra e shërbimeve ka evidentuar 101 raste, ku ekziston i plotë dokumentacioni i pagesës së qytetarit si dhe kalimi i shumave të arkëtuara në llogarinë bankare të OSHEE-së, por nga kjo e fundit nuk janë bërë shkarkimet në sistem.

Lazimi tha se një numër i madh qytetarësh rezultojnë debitorë, edhe pse e kanë kryer pagesën në postë, e cila nga ana e saj i ka transferuar pagesat në CEZ (ish-OSHEE), por OSHEE-ja nuk i ka kaluar në sistem. Lidhur me këto raste, po verifikohet dokumentacioni i qytetarëve, që rezultojnë padrejtësisht debitorë, për t’i hequr ata nga kjo listë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/