11 janar 2015 –  Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Herolind Shala, synohet nga tri klube të Serisë A. Lajmin e ka bërë të ditur uebsajti italian “tuttomercatoweb.com”. Ky i fundit zbulon edhe emrat e skuadrave që interesohen për kosovarin. “Shala kërkohet nga Xhenoa, Udineze dhe Empoli”, citohet ndër të tjera në portalin italian. Shala ka qenë protagonist në sezonin e kaluar në Norvegji me Od Grenland, ndërsa një muaj më parë nuk pranoi të rinovonte kontratën me këtë klub.

Nuk përjashtohet mundësia që mesfushori 22-vjeçar të firmosë brenda janarit me një nga këto klube, teksa sipas mediave italiane, Empoli po insiston më shumë. Një tjetër lojtar kuqezi që mund të transferohet në Serinë A është edhe Armando Vajushi. Mesfushori me tipare sulmuese ka pranuar se ka oferta konkrete nga Udineze, Kievo dhe Atalanta. Nga sa mësohet, shkodrani prej dy ditësh ndodhet në Itali bashkë me menaxherin e tij, për të negociuar për një transferim të mundshëm në ekipet e Serisë A. Klubi i Liteksit, ku Vajushi është nën kontratë, kërkon së paku 2 milionë euro për ta lënë të lirë futbollistin 23-vjeçar.