Në shtyp janë bërë spekulime se skaneri, dhuratë e qeverisë kineze dhe marrë në dorëzim në prill të vitit 2008 në praninë e ish-Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, është prishur qëllimisht nga trafikantë materialesh radioaktive të lidhur me ish-qeverinë e djathtë, sot në opozitë. Për këtë skandal ka hetuar dhe shërbimi sekret amerikan

DURRËS, 11 janar 2015 –  Që nga e shtuna, 10 janar 2015, skaneri, që ndodhet në sheshin e kontejnerëve në doganën e portit të Durrësit, është funksional dhe i riparuar plotësisht, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Ky skaner qëndronte jashtë funksionit që nga viti 2012. 

Ky skaner është dhuratë e qeverisë kineze dhe është marrë në dorëzim në prill të vitit 2008 në praninë e ish-Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha. Por që nga viti 2012 ai ka qenë tërësisht jashtë funksionit. Për riparimin e tij janë marrë sërish specialistë kinezë, të cilët kanë konstatuar që ky skaner ka punuar vetëm 200 orë/punë dhe më pas është prishur. Skanerit nuk i ishin kryer shërbimet e nevojshme për ta mbajtur në punë, çka kishte sjellë dëmtimin dhe nxjerrjen e tij jashtë funksionit (kliko videon: https://www.youtube.com/watch?v=ufoESbFX5_Y). 

Në shtyp janë bërë spekulime se skaneri është prishur qëllimisht nga trafikantë materialesh radioaktive të lidhur me ish-qeverinë e djathtë, sot në opozitë. Për këtë skandal ka hetuar dhe shërbimi sekret amerikan.

Me skanerin e riparuar dhe funksional tashmë në doganën e portit të Durrësit do të rritet shpejtësia me të cilën kontrollohen dhe përpunohen kontejnerët, duke i dhënë biznesit me shumë lehtësi dhe shpejtësi, ndërsa nga ana tjetër dogana kryen kontrolle më efikase, më të shpejta dhe të sigurta.

Riparimi i tij u bë nga shoqëria e njohur kineze “Nuctech Company Limited”, drejtori i parë së cilës, deri në vitin 2008, ka qenë Hu Haifeng, i biri i presidentit aktual të Kinës Hu Jintao. Po “Nuctech”-u e instaloi pajisjen e mësipërme në vitin 2008 në portin e Durrësit. Sipas kësaj kompanie, në qershorin e vitit 2014 skaneri i saj në doganat malazeze, zbuloi 250 kg kokainë në kontejnerët me banane për Shqipëri.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/