9 janar 2015 – Në zgjedhjet e vitit 2012, peshëngritësi me origjinë shqiptare, Pirro Dhima, u zgjodh për herë të parë si deputet i PASOK-ut në parlamentin grek. Emri i tij ishte një zgjedhje personale e Evangjelos Venizellos, kryetarit të PASOK-ut. Po një zgjedhje personale e Venizellos duket të jetë edhe zgjedhjet e parakohshme të 25 janarit.
Mediat greke shkruajnë se vendimi për të kandiduar ose jo Pirro Dhimën, është marrë pas konsultimeve që kreu i PASOK-ut, Venizellos, ka zhvilluar me kupolën drejtuese të partisë së tij. Dhima kandidon në rajonin e dytë të kryeqyteti grek, Athinë. Lajmin për rikandidimin e tij, Dhima e ka dhënë edhe përmes faqes në Facebook.
“Për Greqinë! Në betejën e kryqit në Athinën B”, – shkruan Dhima në rrjetin social, ndërsa lajmi shoqërohet edhe me foton e disa viteve më parë kur ai shpallej kampion olimpik. Pirro Dhima ishte një zgjedhje simbolike e PASOK-ut në vitin 2012 dhe e tillë është edhe sot, aq më tepër kur kjo parti është në ditët e saj më të këqija. Sondazhet e zgjedhjeve e nxjerrin atë me vetëm 3.5% të votave, më pak edhe se neonazistët e Agimit të Artë.
Dhima ishte peshëngritësi që nxorri nga “bataku” peshëngritjen greke, pas një serie skandalesh me doping. Ai është sportisti grek më i mirë i të gjitha kohërave, me plot 4 medalje Olimpike. Pirro Dhima ia doli ta nxjerrë nga “bataku” peshëngritjen greke, por s’ka gjasa të bëjë të njëjtën gjë edhe me PASOK-un, e cila që pas krizës ekonomike të vitit 2009 njeh vetëm rënie.
/lapsi.al/





