• Pas meremetimit do të vendoset në lulishten para portit, aty ku ishte busti i diktatorit. Ende në botë nuk e dinë se 24 vjet më parë durrsakët i hoqën, jo vetëm bustin, por edhe emrin
DURRËS, 9 janar 2015 – Për të gjithë nostalgjikët e shatërvanit, të hequr nga sheshi “Liria”, kameramani i njohur i “Top Channel”-it Nebi Vlashi e ka fiksuar të premten “e zezë”, më 9 janar 2015, për të shmangur hamendjet për vendndodhjen e tij. Bashkia e ka transportuar me kujdes deri në hyrje të kalatës lindore të portit të Durrësit, duke e vendosur mbi një platformë druri. Sipas kryebashkiakut Vangjush Dako, shatërvani do të qëndrojë aty, pasi të riparohet dhe të bëhet funksional si para 80 vjetësh.
Të gjithë dashamirët e paduruar le të marrin një fletëhyrje në port dhe të dalin në fotografi. Ose të presin ditën kur të vendoset në hyrjen qendrore të portit. Shatërvani do të zëvendësojë bustin e hequr para 24 vjetësh të diktatorit Enver Hoxha, emrin e të cilit mbante porti.
Me që ra fjala, është e habitshme, por fakt absurd: në një sërë sajtesh të huaja, hartografike, turistike dhe imobiliare, porti detar i Durrësit identifikohet me emrin e diktatorit (shih, mes të tjerash, http://www.lonelyplanet.com/europe/porti-detar-i-durresit-enver-hoxha/hotels).
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





