• Projektligji djeg zv/ ministrin “Korabi”

9 janar 2015 –  Drejtori Kola organizoi një takim me disa ish – të përndjekur politikë në Durrës. Tema kryesore e takimit ishte diskutimi mbi projektligjin për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Të përndjekurit bënë mjaft vërejtje për projektligjin dhe kërkuan me ngulm, që në përbërje të komisionit, bordit, që do hapë dosjet, të jetë anëtar të paktën edhe një ish i përndjekur. Drejtori Kola theksoi se ligji i vjetër i Lustracionit nuk mund të merret për bazë, sepse Komisioni i Venecias ka bërë shumë vërejtje thelbësore për këtë ligj.  Sipas drejtorit Kola në bazë të projektligjit të ri është marrë për bazë ligji gjerman për hapjen e dosjeve të Stazi-t, ish-policisë sekrete gjermano- lindore.

Pasi u konsultuam me projektligjin në fjalë, (botuar në të përditshmen Panorama) vërejmë me habi se ky projektligj për qeverinë Rama është si proverbi anglez: “hoisted by his own petard” ( bie në gropën, që i hap shokut). 

Për shkak të injorancës normale të vartësve të Ministrit Veliaj, apo të nxitur nga cinizmi i skajshëm i vetë ministrit, në ligj goditen edhe figura të Kabinetit Rama. Njëri  nga zv/ministrat “taze” të Qeverisë Rama, automatikisht del jashtë politikës, nëse projektligji kalon në Parlament në formën e tanishme. Zv/ministri në fjalë pranoi të bëhej BP (bashkepunëtor) i Sigurimit të Shtetit me qëllim që nga mësues fshati në një rreth verior të bëhej mësues gjimnazi po në këtë rreth. Për spiunime cilësore Sigurimi e shpërbleu duke e transferuar mësues në fshatrat e vendlindjes diku në Myzeqe. Zv/ministri e ka pasur pseudonimin “KORABI”. Ky pseudonim është përdorur disa herë nga Sigurimi për disa BP (bashkëpunëtorë) të tij, të gjallë e të vdekur, madje edhe për njërin, që hynte në kategorinë e strehuesit.

Në vartësi të interpretimit të projektligjit, edhe vetë Kryeministri Rama mund të preket nga dispozitat e tij. Bëhet fjalë për raportet dhe informacionin me shkrim të dhënë nga  Kryeministri Rama Sigurimit të Shtetit në vitin 1988. Për të tilla raporte ka dokumente në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, në Arkivin e SHIK-ut dhe në arkivin e ish- Komitetit Shtetëror të Arteve.

/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/