9 janar 2015 –  Teuta po vijon të përgatitet me intesitet të lartë, ndërsa tekniku Begeja dhe stafi teknik po punojnë për të ndërtuar një skuadër cilësore për pjesën e mbetur të sezonit. Deri në këto momente lëvizjet ne kampin durrsak mund të cilësohen tepër produktive. Janë afruar futbollistë me mjaft eksperiencë të cilët e kanë veshur edhe më parë fanelën  e  Teutës si: Julian  Brahja, Bekim  Kuli, Mirel  Çota,   Shaqir  Stafa  si dhe i riu   Fabio  Beqja dalë nga akademia e Teutës, ndërkohë që janë larguar futbollistë të tillë  si: Pepa, Shabani, Krasniqi, Bardulla, Hysenbelli, Turtulli dhe senegalezi Moktar  Fall.

Duke i bërë një analizë të përgjithshme situatës dhe përgatitjeve të deritanishme, tekniku Begeja tha se gjithçka po fuksionon sipas parashikimeve. "Po punojmë intesivisht, me qëllim që të jemi gati për të vazhduar kampionatin.

Lojtarët dita-ditës po vijnë në formë dhe kjo është diçka shumë e mirë. Shikoj që skuadra po konsolidohet dhe kemi besim se gjatë pjesës së mbetur të kampionatit do të bëjmë një paraqitje më të mirë. Kemi kohë mjaftueshëm deri sa të fillojë kampionati për t'u përgatitur dhe besoj se do të jemi gati në kohë. Aktualisht po punojmë sipas programit, herë me nga dy seanca stërvitore në ditë, me qëllim që lojtarët të marin ngarkesën e nevojshme", u shpreh Begeja. Begeja është shumë i kënaqur me afrimet e fundit, ndërsa shprehet se lojtarët janë adoptuar menjëherë në skuadër ndërkohë që ndonjë tjetër përforcim mund të kryhet në ditët në vijim. Të shtunën në orën 13.00 Teuta do të luajë në Niko Dovana një ndeshje miqësore kundër ekipit të Tiranës dhe kjo sfidë do të jetë një test shumë i mirë për skuadrën durrsake, duke vënë në dukje problemet apo edhe progresin që mund të ketë bërë ekipi.