DURRËS, 9 janar 2015 –  Përfundimisht lamtumirë, mbretërimit të një monumenti kulture siç ishte shatërvani i Durrësit; emblema e fëmijërisë, simbolika e rinisë dhe objekti stoik që ka shoqëruar qytetarët durrsakë përgjatë jetës së tyre. Autenticiteti i qytetit bregdetar pësoi një dëmtim dhe lëndim të thellë sot. Pavarësisht lëvizjeve dhe protestave për moslargimin e tij, sot sheshi “Liria” nuk ka shatërvan, tashmë jo më. Fakt i kryer! 

Si në një tragjedi shekspiriane, gjithçka u krye mbrëmjen e djeshme, sepse errësira është një aleate shumë e mirë e punëve të liga. Nata i vesh gjërat e zakonshme me përmasa të pazakonta. Shatërvani ishte shpirti i qytetit, rreth të cilit janë pëshpëritur fjalë të ngrohta, fjalë të dashura, janë shkëmbyer përshëndetje, janë shkrepur me mijëra foto. Të tilla veprime të pamëshirshme dhe gjakftohta që përçudnojnë imazhin historik të qytetit një ditë do të kërkojnë shpagim. Ndoshta si tek "Makbethi" do t'i prishin gjumin e natës atyre që blasfemuan me historinë, memorien sociale dhe lidhjet shpirtërore. Ndoshta! 

Kredoja qytetare po shkelet fort, duke arritur kështu në shkelje flagrante të dinjitetit qytetar.

Pas gjithë kësaj mizanskene qëndron e pazëshme, humbja e imazhit real të qytetit të dashur, të durrsakëve kudo jetojnë që s'reshtin së qeni të dashuruar me tiparet  e Durrësit.

Të mbrosh qytetin do të thotë të duash origjinën tënde, të afërmit, miqtë, njerëzimin; të mbrosh është një fjalë e madhe, me një dimension të jashtëzakonshëm, i cili kthehet në mistikë.