8 janar 2015 – Kombëtarja Shqiptare U-19 pëson një humbje të ëmbël në miqësoren e zhvilluar në "Elbasan Arena" përballë bashkëmoshatarëve italianë. Në praninë e mijëra tifozëve të pranishëm në shkallët e stadiumit, djemtë e drejtuar nga Altin Lala zhvilluan një ndeshje pozitive me shumë raste për shënim por në fund të 90 minutave u detyruan të pranojnë humbjen 2-1 që erdhi për shkak të dy gabimeve në fazën mbrojtëse. Shkëndijën e parë të takimit e dha sulmuesi shqiptar i Cremoneses, Rei Manaj që nuk arriti të gjente kuadratin në minutën e 20, ndërsa 2 minuta më pas Dinaj nuk arriti të shënjestronte saktësisht.
Pavarësisht minutave pozitive për kuqezinjtë ishin italianët ata që finalizuan me sulmuesin e Napolit, Alfredo Bifulco, i cili dribloi mbrojtësin Toli duke e kaluar topin në rrjetë. Djemtë e Lalës kishin mundësinë e artë në minutën e 36 por e majta e Manaj u grushtua nga portieri Andrea Zacagno. Italia ishe shumë pranë golit të dytë 5 minuta nga fundi kur Toli pengoi në zonë kapitenin e kaltër, MInelli, por goditja e këtij të fundit u prit nga portieri i kombëtares shqiptare. Pjesa e parë u mbyll me një goditje nga jashtë zonës e Humollit që përfundoi në duart e Zacagnos. Fraksionin e dytë, italianët e nisën me një rast të Bifulcos në minutën e 50 por goditja e sulmuesit napoletan gjeti përgjigjen e Elhan Kastratit. Shqipëria ishte shumë pranë golit të barazimt në dy raste ku Rei Manaj gaboi.
Fillimisht sulmuesi kuqezi humbi ekuilibrin gjatë momentit të finalizimit në minutën e 54, ndërsa në të 67-ën goditi shtyllën e djathtë të Andrea Zacagnos. Manaj korrigjoi shënjestrën 4 minuta më pas duke mfinalizuar me sukses një 11-metërsh të fituar nga vetë ai pasi u rrëzua në zonë nga një mbrojtës i kaltër. Italia e rigjeti avantazhin në minutën e 78 pasi Dalmonte nuk e pati aspak të vështirë për të shënuar golin e dytë, pasi u gjend i vetëm në zonën e skuadrës kuqezi. 9 minuta nga fundi, Rei Manaj tentoi një parabël por gardiani i kaltër Audero preku topin me duar jashtë zonës së rreptësisë duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë, ndërsa sulmuesi Bifulco vendosi dorezat e portierit.
Shqipëria nuk e shfrytëzoi këtë moment duke pësuar një tjetër humbje kundër të rinjve italianë, pas miqësores së disa javëve më parë të zhvilluar në Itali.





