NGA VANGJUSH DAKO**
Bashkia e Durrësit për vitin 2015 paraqitet me një program të zhvillimit të saj ekonomik, ku janë hartuar dhe përcaktuar programe sektoriale dhe prioritare të mbështetura në kostot reale. Në të përcaktohen qartë objektivat për çdo sektor si dhe raporti produkt / rezultat.
Për realizimin e këtij buxheti janë organizuar takime me komunitetin, të shtrira në të gjithë qytetin, në kuadër të praktikave të buxhetimit me pjesëmarrje, të cilat janë praktika të konsoliduara në Bashkinë e Durrësit dhe në vijim të përqasjes qytetare dhe te nevojave te tyre në buxhet.
Këndvështrimi qytetar i shprehur në formën e opinioneve apo perceptimeve për vitin 2015 apo nëpërmjet të gjithë formave apo mekanizmave te tjerë të thithjes së këtij mendimi, na orientuan në hartimin e këtij projekt buxheti për vitin në vijim, profili i të cilit janë vazhdimi i përmirësimit të ndjeshëm të infrastrukturës rrugore; vijimi i investimeve për shtimin sasior dhe cilësor të hapësirave të gjelbra, si dhe përmirësimi i shërbimeve të tjera publike, që ndikojnë pozitivisht për një rritje cilësore të jetës në qytet; përdorimi i mjeteve alternative të financimit me kredi për projektet e banesave sociale me qira; bashkëfinancimi në projekte në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar të programit të paraaderimit në BE; prezantimi i buxhetit me programe sektoriale dhe prioritare të mbështetura në kostot reale, ku përcaktohen qartë objektivat për çdo sektor si dhe raporti produkt/rezultat.
Për vitin 2015 renditen si më prioritare infrastruktura rrugore; rivitalizimi i hapësirave dhe rikualifikimet urbane; strehimi social.
Plani i shpenzimeve kapitale për vitin 2015 i shton qytetit të Durrësit 458 milionë leke investime në rikonstruksione rrugësh e hapësira publike, 94 milion lekë investime për rikualifikime urbane, 12.5 milionë lekë investime në arsim e sport, 100 milionë lekë në ndërtimin e banesave sociale, pra rreth 691 milionë lekë investime gjithsej.
Ky projektbuxhet është pasqyrë e një vendimmarrjeje të përbashkët me komunitetin, shprehje besnike e nevojave dhe pritshmërisë së bashkëqytetarëve tanë.
Duke e mbyllur do t’ju ftoja ta miratojmë të gjithë së bashku keëtëe projektbuxhet që të fillojmë pa humbur kohë nga puna.
* Nga mesazhi i buxhetit të vitit 2015 për Këshillin e Bashkisë Durrës. Titulli dhe qortimi i gabimeve janë të “Dyrrah”-ut.
** Kryetari i Bashkisë Durrës.
Botuar më 7 janar 2015.
Ditën e premte, më 9 janar 2015, ora 13.00, në sallën e mbledhjeve të Këshillit të Bashkisë, zhvillohet takimi me grupe interesi për diskutimin e projektbuxhetit të Bashkisë Durrës.
/përg. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





