7 janar 2015 –  Bekim Balaj merr ofertë nga klubi i Serisë A, Atalanta. Shkodrani është thirrur në një takim urgjent nga drejtuesit e klubit çek, Slavia e Pragës, ku lojtari është nën kontratë. Në këtë takim Balajt i është bërë e ditur se në klub ka ardhur një ofertë zyrtare nga Atalanta. Mësohet se Balaj është befasuar, duke mirëpritur diçka të tillë. Pasi e kanë vënë në dijeni sulmuesin shqiptar, duke e njohur paraprakisht edhe me kushtet për transferimin e mundshëm tek Atalanta, drejtuesit e Slavias kanë vendosur për t’u kthyer një përgjigje zyrtare italianëve.

Mësohet se Slavia e Pragës kërkon afro 600 mijë euro për ta lënë të lirë Balajn. Nuk dihet nëse kjo shumë do të paguhet nga klubi italian, por sipas të gjitha gjasave, në ditët e ardhshme mund të ketë një përgjigje konkrete nga Atalanta. Klubi bergamask ka ndjekur së fundmi shkodranin, veçanërisht në ndeshjet e Kombëtares shqiptare dhe kërkon me ngulm ta afrojë gjatë merkatos së janarit. Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse Atalanta do ta pranojë ofertën e Slavies së Pragës për kartonin e Balajat. Sulmuesi ka gjashtë muaj që është pjesë e skuadrës çeke, në një kohë që kontrata i skadon pas dy sezonesh. Klubi çek dhe lojtari shqiptar janë munduar të mbajnë të fshehtë interesimin që ka shfaqur Atalanta për blerjen e kartonit, që në fakt mendohet se ka nisur më herët se ditët e para të vitit 2015. Lojtari – Balaj ka lënë të hapur çdo mundësi për largimin nga Slavia, teksa ka pranuar që klubi i ka sqaruar se, në rast oferte të mirë, do ta shesë.

“Nuk i dihet çfarë do të ndodhë me të ardhmen time, ngaqë klubi më ka thënë se mund të largohem vetëm nëse vjen ndonjë ofertë e pëlqyeshme për ta dhe kuptohet për mua. Gjatë viteve të fundit Slavian e kanë ndjekur problemet financiare. Megjithatë, tani në klub kanë njerëz të rinj që dëshirojnë ta kthejnë Slavien në majë”, ka thënë Balaj pak ditë më parë.