7 janar 2015 –  Rennes prezanton Ermir Lenjanin që flet edhe fjalët e tij të para si futbollist i klubit francez. Pasi firmosi një kontratë prej dy vitesh e gjysmë me Rennes, mesfushori 25-vjeçar i kombëtares shqiptare deklaroi për faqen zyrtare të klubit breton:

"Jam shumë i lumtur që jam këtu. Ky është një hap i ri në karrierën time. Gelson Fernandez dhe Pedro Henrique më kanë folur pak a shumë për klubin dhe për qytetin. Me zor pres të zbuloj Ligue 1. Bëhet fjalë për një kampionat kompetitiv. Do të jap më të mirën time".

Në faqen zyrtare të Rennes bëhet e ditur se klubi francez ishte prej muajsh në ndjekje të Ermir Lenjanit që zbuloi rrugën drejt stadiumit Sports Park Lorient gjatë miqësores mes Francës dhe Shqipërisë nëntorin e kaluar.

"Ne e dinim që do të luante dhe e ndoqëm nga afër në ndeshjen me Francën, – shpjegoi trajneri i Rennes Philipp Montainer duke shtuar, – Lenjani është një futbollist i kombëtares së vendit të tij dhe i mësuar të luajë në kompeticione të niveleve të larta".

Trajneri i Rennes deklaroi vec te tjerash se Ermir Lenjani do t'i sherbejë shumë klubit në krahun e majtë me largimin e Cheikh M'Bengue për të marrë pjesë në Kupën e Afrikës duke e prezantuar Lenjanin si një lojtar të shpejtë dhe të zhdërvjellët. Në faqen zyrtarë të klubit ndërkohë bëhet e ditur se Lenjani që rregjistron 8 prezenca me kombëtaren shqiptare mund të debutojë me skuadrën e tij të re që në ndeshjen e kësaj të shtune kundër Evian.