28 dhjetor 2014 – Nuk është e nevojshme tashmë që biondja simpatike Olta Gixhari të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara për takuar fansin e saj më të fundit, Ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu. Mbrëmë ata i bëri bashkë Arian Çani në emisionin “Zonë e Lirë” në Televizionin Klan. Ambasadori amerikan bëri një deklaratë surprizë disa ditë më parë se ai do të largohej me një peng nga Shqipëria, që nuk kishte takuar aktoren Olta Gixhari.
Të premten në mbrëmje, ai pati mundësinë të sqarojë edhe “pengun” e tij. Aktorja kishte reaguar ndaj deklaratës së Ambasadorit Arvizu duke thënë se nëse ai dëshironte ta takonte, mund ta ftonte për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por mbrëmë u shpreh se nuk mundi ta refuzonte ftesën e Çanit që takimi të ndodhte në emisionin “Zonë e Lirë”.
Aleksandër Arvizu zgjodhi programin “Zonë e Lirë” në ekranin e Televizionit Klan për të dhënë edhe intervistën e tij të fundit para largimit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas qëndrimit rreth katër vjeçar në Tiranë.





