-Mall për njerëzit e punës dhe të fjalës së mbajtur
Një foto e vitit 1985 që flet ende sot
Nga BUJAR QESJA
Në raftet e kujtesës qytetare ka fotografi, që nuk janë thjeshtë copëza letre të zverdhura nga koha. Janë dokumente njerëzore, janë dëshmi karakteresh, janë pasqyra të një brezi, që punën e kishte identitet dhe korrektësinë mënyrë jetese.
Një e tillë, është edhe kjo fotografi e vitit 1985, e realizuar 41 vite më parë, ku janë bashkuar gjashtë kuadro të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit të Durrësit. Fotografi që ngjall mall, respekt dhe nostalgji për njerëzit e heshtur të punës, për ata administratorë seriozë, që përtej sistemit të kohës, mbetën profesionistë të përkushtuar dhe qytetarë të ndershëm.
Gjashtë emra, që në Durrës njiheshin jo vetëm për detyrat që mbanin, por sidomos për mënyrën si silleshin me njerëzit, për kulturën qytetare dhe seriozitetin në punë.
Në atë periudhë, drejtimi i sektorëve të rëndësishëm të rrethit kërkonte përgjegjësi të jashtëzakonshme. Çdo seksion, kishte peshën e vet në jetën ekonomike dhe shoqërore të rrethit. Arsimi, tregtia, industria, statistikat, mbrojtja civile apo administrata nuk ishin vetëm zyra. Ishin edhe mekanizma, që mbanin në lëvizje jetën e përditshme të qytetit. Dhe në krye të tyre, qëndronin njerëz me formim, me kulturë pune dhe me krenari.
Eqerem Shehu, shef i seksionit të arsimit dhe kulturës, mbetet figurë me staturë të veçantë intelektuale. I diplomuar për matematikë-fizikë, përfaqësonte tipin e kuadrit erudit, të përgatitur dhe me horizont të gjerë kulturor. Kishte punuar si mësues, drejtor shkolle dhe njihej për aftësitë organizative, për komunikimin e ngrohtë dhe për respektin që fitonte natyrshëm. Ishte nga ata njerëz që e donin librin, dijen dhe kontaktin me publikun. Më vonë u angazhua edhe në botime librash, duke dëshmuar se formimi intelektual nuk ishte vetëm dekor i profesionit, por pjesë e karakterit të tij. Në marrëdhëniet me vartësit apo me mësuesit, Eqeremi mbante gjithnjë një qëndrim njerëzor, pa arrogancë dhe pa diktat. I përkiste atij brezi administratorësh, që autoritetin nuk e fitonin me zë të lartë, por me kulturë dhe korrektësi. Djali i tij Endri Shehu, është neorolog me emër.
Hysni Zela, shef i seksionit të industrisë, pjesëtar i një mbiemri të njohur dhe të respektuar në Durrës. Vëlla i Sherif Zelës dhe Ramazan Zelës, Hysniu kishte mbaruar për ekonomi dhe njihej si kuadër shumë i aftë në organizimin e sektorit industrial. Ishte njeri praktik, serioz dhe tepër korrekt në komunikim. Ata që e kanë njohur, kujtojnë qetësinë e tij në punë, maturinë në vendimmarrje dhe aftësinë për të ruajtur ekuilibrin në situata të vështira. Industria në atë kohë kishte ngarkesë të madhe dhe kërkonte organizim të përditshëm. Por Hysniu arrinte të ruante jo vetëm ritmin e punës, por edhe marrëdhënie të shëndosha njerëzore me kolegët dhe vartësit. Ishte ndër ata drejtues, që dëgjonin shumë dhe flisnin pak.
Fatmir Kalaja, shef i administratës, një emër i lidhur me një familje të njohur durrsake. Djali i shoferit popullor Fadil Kalaja dhe vëllai i Lul Kalasë, Kujtimit, Kimetës, Flamures dhe Nurijes, Fatmiri kishte trashëguar qytetarinë dhe komunikimin e mirë njerëzor. Studimet i mbaroi për mësuesi, por talenti organizativ dhe serioziteti, e bënë të spikaste në administratë. Mbeti nga ata njerëz që dinte të krijonte klimë bashkëpunimi. Në institucion, administrata kërkonte përpikmëri, disiplinë dhe përgjegjësi. Fatmiri e ushtronte këtë detyrë, me kulturë qytetare e me shumë korrektësi. Njerëzit e kujtojnë si njeri të qetë, të edukuar dhe me sens të lartë përgjegjësie.
Lutfi Shehu, shef i mbrojtjes civile, kishte profil krejt tjetër, por po aq të respektuar. Kolonel dhe i diplomuar në akademinë ushtarake të Bashkimit Sovjetik, sillte në punë kulturën e disiplinës dhe organizimit ushtarak. Në figurën e tij bashkoheshin serioziteti, përgatitja profesionale dhe komunikimi korrekt. Ishte njeri i rregullit, por jo i ftohtë. Përkundrazi, kolegët e kujtojnë si bashkëpunues dhe të drejtë. Mbrojtja civile në atë kohë, kishte rëndësi të madhe dhe kërkonte vigjilencë organizative. Lutfiu e kryente këtë detyrë me profesionalizëm të admirueshëm, duke ruajtur gjithnjë respektin për njerëzit me të cilët punonte.
Profil mjaft popullor ishte edhe Taqo Kosta, shef i seksionit të tregtisë. Djali i Sterjo Kostës, guzhinierit me emër në Durrës, Taqoja kishte mbaruar për mercologji dhe njihej si kuadër korrekt, serioz dhe shumë komunikues. Përveç detyrës, kishte pasion edhe veprimtaritë kulturore dhe shpesh shfaqej si prezantues veprimtarish. Gëzonte aftësi të rralla komunikimi dhe një qytetari të prekshme. Në tregti kërkohej kontakt i vazhdueshëm me njerëzit dhe institucione të ndryshme dhe Taqoja dinte ta përfaqësonte sektorin me aftësi. Kosta ishte nga ata njerëz, që hynin lehtë në zemrat e kolegëve, sepse sillte ngrohtësi njerëzore dhe respekt në çdo komunikim.
Qazim Sukniqi, shef i statistikave, ekonomist shumë i aftë dhe pjesë e një mbiemri të njohur në qytetin e Durrësit. Statistikat dhe planifikimi kërkonin saktësi, përgjegjësi dhe mendje analitike. Qazimi ishte pikërisht njeriu i këtyre cilësive. Në sektorin e tij punonte edhe ekonomistja e njohur Margarita Filo, çka dëshmon nivelin profesional të asaj zyre. Qazimi kishte reputacionin e specialistit të fortë dhe të njeriut serioz, që e merrte punën me përkushtim të plotë. Nuk ishte njeri i bujës apo i reklamës personale. Punonte në heshtje, por me rezultate të dukshme.
Në krye të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit të Durrësit në atë kohë ishte Ligor Çifligu, figurë e njohur administrative, me origjinë nga Çifligu i Korçës. Institucioni funksiononte mbi bazën e një hierarkie pune, ku secili sektor kishte përgjegjësinë dhe profilin e vet. Por ajo që binte në sy, ishte serioziteti dhe kultura institucionale që ekzistonte mes këtyre kuadrove.
Kur shohim këtë fotografi tani, kuptojmë se ajo nuk paraqet vetëm gjashtë njerëz të një administrate. Ajo është portreti i një kohe, kur marrëdhëniet mes kolegëve kishin sinqeritet, kur shoqëria ndërtohej mbi besimin dhe kur fjala “kolektiv” kishte kuptim njerëzor. Ata ishin kolegë, por edhe miq. Kishin respekt për njëri tjetrin, ndanin hallet dhe ngarkesat e punës, ruanin humorin dhe mirësinë njerëzore edhe në ditët më të lodhshme.
Është e rëndësishme të kuptohet, se vlera e këtyre njerëzve nuk lidhet thjeshtë me sistemin e kohës. Sistemet ndryshojnë, epokat kalojnë, por profesionalizmi, ndershmëria dhe kultura qytetare mbeten vlera universale. Këta kuadro nuk mbaheshin nga politika. Ata kishin identitetin profesional, aftësitë dhe individualitetin e tyre njerëzor. Secili kishte formim, kulturë dhe përgjegjësi konkrete. Ishin njerëz që punonin me ndërgjegje dhe që respektonin institucionin, por edhe qytetarinë durrsake.
Prandaj kjo pamje sot, ka kaq shumë vlerë emocionale. Sepse në të shohim një brez që e ndërtoi autoritetin me punë dhe jo me zhurmë. Një brez që dinte të respektonte kolegun, vartësin dhe qytetarin. Një brez, ku fjala e dhënë kishte peshë dhe ndershmëria ishte pjesë e karakterit.
Koha ka kaluar. Disa prej tyre nuk jetojnë, të tjerë mbeten në kujtesën e qytetit si njerëz të mirë dhe administratorë të zotë. Por fotografia vazhdon të flasë. Ajo sjell mall për shoqërinë e pastër, për marrëdhëniet e shëndosha njerëzore, për vëllazërinë e sinqertë dhe për krenarin, që këta burra i dhanë punës së tyre.
Kjo foto nuk është vetëm kujtesë. Është homazh edhe për qytetarinë durrsake, për inteligjencën administrative dhe për njerëzit, që në heshtje e pa pretendime, mbajtën mbi supe shumë përgjegjësi dhe lanë pas respekt.
Bujar Qesja
Durrës: 6 maj 2026
Në pamje, nga e majta: Eqerem Shehu ( nuk jeton), Hysni Zela (nuk jeton), Fatmir Kalaja, Lutfi Shehu, Taqo Kosta dhe Qazim Sukniqi (nuk jeton).
Viti 1985





