Nga Gëzim Kabashi

Regjisori i mirënjohur Haxhi Rama javët e fundit ka dalë më pak nga shtëpia.

Ai “po i jep dorën e fundit” një komedie të re, siç shprehen artistët.

Megjithëse sot feston 83-vjetorin e lindjes, mjeshtri durrsak nuk është shkëputur asnjëherë nga skena apo “shtëpia e tij e dytë”.

Po cila është jeta artistike e Haxhi Ramës, produkti që ai solli në të gjitha skenat e varietesë së vendit?

Haxhi Rama është një nga artistët me kontribute të mëdha në skenën shqiptare.

Ai mbetet një nga krijuesit më popullor të gjinive skenike.

Lindur në Durrës më 29 maj 1943, ku edhe vazhdon të banojë pa ndërprerje, Haxhi Rama ka një profil polivalent, ku dallojnë regjisori, dramaturgu, aktori dhe libretisti.

Aktiviteti 60-vjeçar, i thënë shkurt: CV e tij, është mjaft e ngjeshur dhe statistikat artistike dëshmojnë për një veprimtari të pamatë.

Ende pa filluar karrierën zyrtare, studenti Haxhi Rama, shkruan mjaft tekste këngësh, që vazhdojnë të interpretohen edhe sot: “Lemza”, “Djaloshi dhe shiu”, “Ne jemi tre”, “Gabimi i Mirelës”, etj, janë kryesisht bashkëpunime me kompozitorin e festivaleve, Agim Krajka.

Duke i shtuar këngëve, edhe libretet e gjashtë operetave, pesë nga të cilat vepra për fëmijë, bashkëpunime këto me kompozitorët Enver Mara dhe Agron Xhunga, aktori dhe regjisori Haxhi Rama eksploron një fushë të veçantë të krijimtarisë personale.

Pas pesë dekadave si artist i shumëfishtë, Haxhi Rama bën bashkë një pjesë të krijimtarisë në përmbledhjet letraro-skenike “BISS (Si një variete); BISS (5 komedi + 1) dhe “Duke pirë një kafe”.

60 vjet krijimtari shumëplanëshe

Pas vitit 1965, kur nisi punën në Teatrin “Aleksandër Moisiu” djaloshi krijon 19 role si aktor; në të njejtin teatër brenda 9 vitesh të tjera vë në skenë 18 shfaqje, drama e komedi.

Po në këtë periudhë, në Takimet kombëtare të teatrove amatore, Haxhi Ramaa vlerësohet si autor dhe regjisor me dy Medalje Ari.

Katër Cmime kombëtare e shoqërojnë artistin Haxhi Rama më vonë në Olimpiadat teatrore. “Regjisori më i mirë” – në Festivalin mbarëkombëtar të Humorit 1996; “Mirë se erdhe Elona” pjesa më e Mirë në konkursin kombëtar të krijimtarisë; po ashtu edhe në konkurimin “Flaka e Janarit” në Gjilan për komedinë “Dashuria e dytë në moshën e tretë”.

Gjatë veprimtarisë si regjisor i Teatrit të Estradës në Durrës, 40-vjeçari i atëhershëm Rama shkruan 15 komedi dhe mbi 100 skeçe. Pjesën më të madhe i ngjit vetë në skenat e teatrove më të njohur shqiptarë.

Nëse “Kartela e verdhë” kthehet në një fenomen  të skenës qytetare në të gjithë vendin, “Fluturimi i breshkës” shëtit thuajse në të gjithë fshatrat e rrethit të Durrësit dhe më tej; “Mirë se erdhe Elona” vlerësohet veçmas edhe në skenat e kryeqytetit; drama “Duar të fuqishme” vjen me sukses në ekranin e TVSH.

Gjithsesi këto janë shumë pak krahasuar me listën e gjatë të krijimtarisë.

Skeçet e shkruara dhe të vëna në skenë nga Haxhi Rama e tejkalojnë numrin 100. Listimi i tyre është i pamundur, ndaj po paraqesim titujt e shumë pak prej tyre, të gjitha aktualisht mbeten pjesë e shikimeve masive nga publiku në you tube: “O ti i këshillit”, “Dajria dhe Parja”, “Vizita e shefit”, “Tekniku i lavatriçes”, “Tre zarfat”, “Biçikleta”, etj., etj.

Spektaklet e varietesë me firmën e Haxhi Ramës, si autor dhe regjisor në teatrin “Aleksandër Moisiu” ndjekin njera tjetrën, dhe jo vetëm.

Titujt e shfaqjeve nuk zenë vend vetëm në Durrës; librete të tjerë  përgatiten edhe me trupat e varietesë në Lushnje e Berat, Tiranë e Korçë, Shkodër, Elbasan dhe Vlorë.

Kjo i jep mundësinë regjisorit të mirënjohur të teatrit dhe varietesë të punojë me mbi 40 aktorë të të gjitha moshave, duke filluar në Durrës nga mjeshtrat Nikolin Xhoja, Vangjel Heba, Lutfi Hoxha, Fadil Hasa, etj., te më të rinjtë Ervin Doko, Andia Xhunga, Marvin Tafaj; te Zyliha Miloti e parodistët Liko, Agalliu e Hamo; Sejfulla Myftari; Vasillaq Vangjeli e Mehdi Malkaj; emra kumbues të varietesë në të gjithë hapësirën shqiptare.

Krijimtaria dhe aktiviteti i Haxhi Ramës janë të panumërt, edhe pa numëruar “një periudhë 15-ditore, kur zëvëndësoi drejtorin e teatrit”- bën humor vetë regjisori, që shkruan më tej “Mësuesi im i parë ka qenë Gjergj Vlashi”.

Person publik,  i njohur dhe i vlerësuar në të gjithë vendin, Haxhi Rama mban titullin “Qytetar Nderi” i Durrësit, ndërsa që nga viti 2000  presidenti i Republikës e ka nderuar “Mjeshtër i Madh”

Regjjisori Haxhi Rama vazhdon të punojë, ndërsa publiku I ndjek me entusiazëm veprat e tij në skenën e varietesë.

Ka ardhur koha që shikuesi kërkon ta shohë në ekran figurën e Artistit Haxhi Rama, i cili në pjesën më të madhe të krijimtarisë ka qenë “i fshehur” pas kuintave të skenës, larg syve të publikut.