Rruga e Currilave, e cila para pak ditësh nisi të rikonstruktohet, pritet të jetë aksi i parë në Durrës që do të pajiset me sinjalistikën për parkimet me pagesë.
Në këtë rrugë me gjatësi 1.1 km, mjetet e rënda të Ndërmarrjes Rruga, po vijojnë punën edhe gjatë orëve të natës për asfaltimin e saj, por edhe për vendosjen e sinjalistikës horizontale për përcaktimin e vendeve të parkimit.
Burime nga bashkia, bëjnë të ditur për “DurrësLajm”, se operatori privat që do të vendosë sinjalistikën përkatëse për mundësimin e parkimeve me pagesë ka afat 60 ditor për vendosjen e tyre në të gjitha akset, parkimi në të cilat do të bëhet me pagesë, konform vendimit të Këshillit Bashkiak të majit të vitit 2024.
Sipas të njëjtave burime, pas vendosjes së sinjalistikës, institucioni i qeverisjes vendore do të lërë në dispozicion të qytetarëve një periudhë kohore testimi të të gjithë infrastrukturës së ngritur për këtë qëllim. Pagesa për vendparkimet do të bëhet përmes sms-ve, por detaje të mëtejshme pritet të zbardhen në ditët në vijim.
Projekti i bashkisë për parkimin e ndan Durrësin në 2 zona administrimi. Zona A përfshin vendndodhjet me ngarkesën më të madhe me ndërveprime intensive tregtare, financiare, institucionale apo sociale, ndërsa Zona B përfshin zonat ku mbizotërojnë shkëmbimet tregtare, financiare, institucionale, me intensitet mesatar.
Ndërkohë, rezidentët që banojnë në zonat, ku do të aplikohet parkimi i automjeteve me pagesë do të parkojnë në rrugët e brendshme të lagjeve. Për ata rezidentë që do të duan të parkojnë tek vendparkimet me pagesë, tarifa vjetore do të jetë 10 mijë lekë për automjetin e parë të familjes..
M.B.





