Teuta arriti të mbijetojë në Superiore vetëm përmes sfidës së “play out”-it ndaj Pogradecit, duke mbyllur një nga sezonet më të vështira të viteve të fundit. Mes shumë vështirësive dhe presionit të madh, durrsakët siguruan qëndrimin në elitë, ndërsa një nga lojtarët që mbajti peshën e repartit ofensiv ishte sulmuesi Muço Boçi. Boçi flet për emocionet e sezonit, ndeshjen vendimtare ndaj Pogradecit dhe objektivat për të ardhmen. Gjithashtu, ai ka edhe një falënderim për tifozët durrsakë, të cilët e mbështetën ekipin edhe në momentet më të vështira. Boçi u premton atyre se në sezonin e ri Teuta do të luftojë për objektiva të mëdha.

Muço, sezoni i Teutës ishte shumë i vështirë dhe gjithçka u vendos në “playout” ndaj Pogradecit. Si e përjetove personalisht këtë periudhë?

Ishte një sezon me shumë ulje-ngritje, jo ai që prisnim. Teuta është një klub me histori dhe objektiva të mëdha. Të luftosh për mbijetesë nuk është e lehtë për askënd. Megjithatë, grupi qëndroi i bashkuar dhe në fund arritëm objektivin minimal, që ishte qëndrimi në kategori.

Sa presion kishte skuadra para sfidës me Pogradecin?

Presioni ishte shumë i madh, sepse e dinim çfarë do të thoshte ajo ndeshje për klubin dhe tifozët. Kur luan në të tilla takime, gabimi nuk falet. Por mendoj se skuadra tregoi karakter dhe eksperiencë në momentin më të rëndësishëm të sezonit.

Çfarë mendon se mungoi që Teuta të mos vuante deri në fund?

Besoj se na mungoi vazhdimësia. Kishim ndeshje ku luanim shumë mirë, por më pas humbnim pikë të rëndësishme. Edhe dëmtimet ndikuan në disa momente. Në Superiore çdo detaj bën diferencën.

Si e vlerëson sezonin e fundit në aspektin personal?

Gjithmonë kërkoj më shumë nga vetja. Kam punuar maksimalisht për ekipin dhe jam munduar të jap kontributin tim në çdo ndeshje. Sigurisht, gjithmonë ka vend për përmirësim dhe shpresoj që sezoni i ardhshëm të jetë më pozitiv si për mua, ashtu edhe për Teutën.