DURRËS, 28 dhjetor 2014 –  Të dhënat demografike të Institutit të Satistikave të Shqipërisë (INSTAT) mbi lindjet, vdekjet, vdekjet nën 1 vjeç, për tremujorin e tretë (korrik, gusht, shtator) të vitit 2014 tregojnë se në shkallë republike ka një rënie të shtesës natyrore (lindje – vdekje) në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2013 prej 5,4 për qind. Kjo rënie në shtesën natyrore ka ardhur si pasojë e rënies së numrit të lindjeve me 4 për qind në krahasim me të njëtin tremujor të vitit të kaluar.

LINDJET

Sipas tabelave të publikuara nga INSTAT-i dhe të analizuara nga “Dyrrah”-u, rezulton se Tirana (2 834 lindje të gjalla) ka numrin më të lartë të lindjeve e lidhur kjo me numrin më të lartë të banorëve, e ndjekur nga Elbasani (1 124), Fieri (994), Durrësi në vend të katërt (986) dhe Korça (677). Qarku i Durrësit në 3-mujorin e parë 2014 ka pasur 793 lindje, në të dytin 794.

VDEKJET

Për sa i përket numrit të vdekjeve kryeson qarku i Tiranës (1 032), pastaj vijnë Fieri (497), Elbasani (480), Korça (472), Shkodra (407), Vlora (394) dhe në vend të shtatë Durrësi (374). Është interesant se në 3-mujorin e parë 2014 ka pasur një rekord vdekjesh në qarkun e Durrësit prej 536 vetash dhe në të dytin 421.

SHTESA NATYRORE

Për shtesën natyrore (që shpreh rritjen / rënien e popullsisë si rezultat i proceseve biologjike (lindjeve dhe vdekjeve) të saj gjatë një periudhe kohe, pra diferencën mes lindjeve dhe vdekjeve) sipas qarqeve: Tirana (1 802) në vend të parë, Elbasani në të dytin (622), Durrësi në të tretin (612), Fieri (497). Rritjen më të vogël e patën qarqet e Gjirokastrës (42) dhe Vlorës (65). Në këtë tregues, 3-mujori i parë 2014 për qarkun e Durrësit është më i miri, teksa në muajin janar, shkurt e mars shtesa ka qenë 257 veta, kurse në prill, maj dhe qershor 373.

Gjithsesi, nisur nga numri i popullsisë, qarku i Durrësit ka një rritje natyrore mbi mesataren e vendit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/