13 dhjetor 2014 –  Serie A rikthehet në origjinë. Ndeshjet në kampionatin italian nuk do të gjykohen më nga 5 arbitra në fushë sepse fondet në Federatën Italiane të Futbollit, mungojnë. Aplikimi i teknologjisë për golin fantazmë dhe kriza ekonomike kanë bërë që drejtuesit më të lartë të institucionit të heqin nga lista dy arbitrat shtesë në linjën e portës.

Sipas federatës, 45 milionë Euro kushtojnë arbitrat në të gjitha kategoritë dhe largimi i asistentëve të portës do t'i reduktonte shpenzimet me rreth 18 milionë. Gjithsesi, kjo mbetet ende një hipotezë sepse në ambjentet e federatës nuk ka zëra zyrtarë, ndërsa presidëenti Tavecchi nuk ka publikuar asgjë në lidhje me këtë temë. Pak ditë më parë, vetë Tavecchio i ndezi dritën jeshile teknologjisë në vijën e portës, ndërsa la të hapur mundësinë e aplikimit të moviolës për zonën e rreptësisë, duke theksuar se përsëritja e aksionit në këtë zonë duhet të aplikohet sa më shpejt për të larguar njëherë e përgjithmonë polemikat për 11 metërshat e akorduar nga gjyqtarët.