12 dhjetor 2014 – Ajo që pritej të ishte një përballje e luftuar mes Teutës në kërkim të reagimit për pikët e mbijetesës dhe Kukësit pretenent për titullin rezultoi një fitore e thellë për Kukësin. Një fitore e pastër 3-0 për Kuksianët në Niko Dovana, në një takim që u mbyll praktikisht brenda 17 minutave të para dhe i shërbeu Pejic për të pasuruar koleksionin e tij me një dygolësh që e con në 9 kuotën e finalizimeve të kroatit në kërkim të konfirmimit si Këpucë e Artë. Ishte një ndeshje me një drejtim e pa histori me Teutën e prirur për të bërë viktimën e gatshme për tu sakrifikuar me skuadrën durrsake që bëri më pak edhe se shtylla që i mohoi golin Zeqirit në minutën e 8, menjëherë më pas edhe Pejic ndieu erën e golit, por nëse në tentativën e parë coi topin pak larg katërkëndëshit, vetëm një minutë më pas në të dytën gjeti golin e avantazhit, me Lushtakun që krosoi dhe kroatin që shtyu topin drejt rrjetës i pashqetësuar.
Çdo shpresë për të parë pak futboll me reagimin e mundshëm të Teutës u zvenit në minutën e 17 kur në një kundërzbritje të shpejtë të Kukësit një asssist i Hair Zeqirtit prezantoi sërish Pejic para Osmanit dhe këtë herë kroati pati dhe ndihmën e fatit me topin që shkoi drejt portës në karambol pas devijimit fillestar të portierit, për golin e 2 -0, të 9 për Pero Pejic në këtë kampionat. Në fundin e pjesës së parë verilindorët gjetën edhe golin e 3-0 këtë herë gjithshka lindi nga një gabim i Ahmataj me Lushtakun që vodhi topin për të përparuar i vetëm drejt portës në të djathtë e ndëshkuar sërish Osmanin. 3-0 që në pjesën e parë dhe në të dytën Kukësit i mjaftonte një menaxhim i qetë duke ruajtur forcat për ndeshjen e rradhës dhe me Teutën e dorëzuar rezultati ishte një fraksion i dytë ku fitoi mërzia dhe pa asgjë të vecantë për të treguar. Në fund tre me zero me skuadrën e Artim Shaqirit që ngjitet përkohësisht në vendin e dytë në kuotën e 31 pikëve dy më pak se Partizani kryesues, ndërsa një Teutë që pritej të luftonte për të dalë nga tuneli çuditërisht e pësoi humbjen e saj të pestë rradhazi aq sa zv/trajneri i "Djemve të Detit", Ilir Biturku e pranoi se skuadra është në krizë të thellë:
"Është e pesta humbje rresht. Në tre ndeshjet e stafit të ri kjo ishte më e dobëta. Duhet të reflektojmë sepse tashmë kemi sfidën me Apoloninë që është kundërshtari direkt. Objektivi jonë është që të largohemi nga zona e ftohtë". Javën e ardhshme Teuta sfidon Apoloninë në një 90 minutësh me vlera mbijetese dhe Biturku karikon skuadrën për t'u rikthyer në rrugën e fitoreve: "Kam bindjen që skuadra do tregojë vlerat e vërteta me Apoloninë, do të futemi në fushë për fitore dhe jam i bindur se do të marrim tre pikët".





