12 dhjetor 2014 –   Tashmë është bërë e zakonshme, që policia kufitare italiane në Portin e Barit por edhe në Aeroportin “Palese” po të Barit, të kapin persona të shpallur në kërkim. Këta persona, ndonëse janë shpallur në kërkim ndërkombëtar të pajisur me  me pasaporta po me gjeneralitetet, që janë shpallur në kërkim, kalojnë pa i hyrë ferrë në këmbë si nga Aeroporti i Rinasit ashtu edhe nga Terminali i trageteve në Portin e Durrësit. Vetëm këtë të enjte 11 dhjetor 2014 policia kufitare bareze kapi tre të kërkuar nga drejtësia italiane të ardhur nga Durrësi dhe Rinasi. 

Shtetasi shqiptar T.M. 30 vjeç konsiderohej një i arratisur i rrezikshëm i shpallur në kërkim nga policia italiane, për disa vjedhje me dhunë. Ai, sapo zbriti nga trageti M/N Bari i kompanisë detare Ventouris Ferries  i Linjës Durrës-Bari, u identifikua dhe u arrestua nga policia kufitare italiane e Portit të Barit. Kështu përfundoi karriera e tij si hajdut dhe grabitës shtëpish e dyqanesh. Në burg atë e pret një “kolegu” i vet i arrestuar nga policia italiane disa kohë më parë. Po këtë të enjte shtetasi serb me inicialet C.A. 51 vjeç i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga italianët u arrestua, sapo zbriti nga trageti i Linjës Durrës-Bari. Serbi duhet të vuajë në Itali një dënim prej 3 vjetësh e 10 muajsh burg për vjedhje dhe falsifikim dokumentash.  Në të dy rastet informacioni i ardhur nga burimet italiane në Shqipëri ishte i saktë. Cuditërisht të dy këta persona e kaluan “filtrin” e policisë kufitare në Durrës pa asnjë problem.

Në Aeroportin e Barit, sapo mbërriti nga Rinasi, u arrestua shqiptari me inicialet  Q.L. 43 vjec, i cili ishte shpallur në kërkim, sepse duhet të vuante në Itali një dënim me 3 vjet e 3 muaj burg për grabitje me dhunë.

/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/