Bashkia Durrës ka hapur një ditë më parë tenderin për studimin e fizibilitetit për menaxhimin e mbetjeve në territorin e saj.

Tenderi i hapur më datë 6 maj do të mbyllet më datë 21 të këtij muaji, kur do të hapen ofertat e kompanive të interesuara për realizimin e studimit në fjalë.

Që prej nisjes së punimeve për ndërtimin e Eco Parkut dhe transferimit të mbetjeve urbane të Durrësit në landfillin e Sharrës dhe më pas gjatë krizës mjedisore të fillim qershorit të vitit të kaluar, bashkia e qytetit bregdetar pati njoftuar se do të kryhej një studim fizibiliteti për të përcaktuar nëse brenda territorit të bashkisë do të mund të përcaktohej një tjetër vend për depozitimin dhe përpunimin e mbetjeve urbane.

Vlera e këtij studimi kap shifrën 4,085,000 lekë pa TVSH.

“Aktualisht Bashkia Durrës ndodhet në një situatë të vështirë, pasi realizimi i projektit “Mbyllja e vend-depozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta Eko-Park, Durrës” krijoi një pamundësi nga ana jonë për të depozituar mbetje në këtë venddepozitim. Në territorin tonë përveç VGM-së së Porto Romanos, ndodhen dhe 3 VGM të tjera (përkatësisht Vadardh Sukth, Fush Biz Ishëm dhe Gryk Minier Manëz) të cilat sipas VKM-së Nr. 389, datë 27.06.2018 “Për disa shtesa dhe ndryshime në VKM-në Nr.452, datë 11.07.2012 “Për Lendfillet e mbetjeve”, sipas hartëzimit negativ kanë dalë për mbyllje, pasi nuk kanë kapacitete dhe kushte teknike për të vazhduar të qëndrojnë venddepozitime sipas kritereve ligjorë e teknike dhe legjislacionit përkatës, dhe jo më të mbulojnë shërbimin e gjithë territorit të Bashkisë Durrës.”,- shkruhet në procesverbalin e hartuar nga grupi i punës që ka përgatitur dokumentacionin për tenderin.

Më tej, në dokument sqarohet se ku do të përqendrohet studimi i fizibilitetit për menaxhimin e mbetjeve urbane.

Studimi i Fizibilitetit do të duhet të përmbajë:

  • Analizën teknike
  • Ndikimet mjedisore dhe sociale
  • Analizën ekonomike dhe financiare

Analiza teknike është pjesë e studimit të fizibilitetit dhe ka si objektiv kryesor të demonstrojë se projekti mund të zbatohet duke përdorur teknologjitë e propozuara dhe pa risqe të paarsyeshme teknike.

  • Analiza teknike duhet të përmbajë informacionin e mëposhtëm:

a) sfondin e projektit.

–  iniciatorin e projektit;

– historinë e shkurtër të projektit;

– studimet e kryera tashmë, të tilla si: studimet e parainvestimeve, studimet  mbështetëse, hulumtimet, rilevimet e trojeve;

– konceptin e projektit dhe objektivat kryesorë;

– përfituesit e projektit;

b) vendndodhjen dhe truallin.

–  vendndodhjen dhe, nëse është rasti, listën e alternativave të mundshme të trojeve;

–  sipërfaqen totale që do të zihet në mënyrë të përhershme dhe/ose të përkohshme;

– statusin ligjor të tokës që do të zihet;

– pasuritë e tjera publike, të cilat do të përdoren, nëse ka ndonjë të tillë;

c) kushtet lokale.

– klima dhe fenomenet natyrore specifike për zonën;

– topografinë (duhen bashkëlidhur studimet topografike);

– gjeologjinë dhe sizmicitetin (duhen bashkëlidhur studimet/raportet gjeoteknike me rekomandime për themelet);

– gjendja aktuale e rrjetit dhe e lidhjes së shërbimeve;

– disponueshmëria e rrugëve hyrëse, nëse ka ndonjë të tillë;

ç) përshkrimin konstruktiv, funksional dhe teknik të projektit. Ky seksion siguron  kryesisht rezultatet që pritet të arrihen dhe nuk përshkruan në mënyrë të detajuar se si do të arrihen.

  • përshkrimin e punëve kryesore civile që do të realizohen;
  • metodat e ndërtimit;
  • teknologjinë dhe pajisjet, të cilat mendohen të përdoren;
  • parametrat kryesorë të projektit si: kapacitetet, sipërfaqet, volumet, gjatësitë, dhe   tregues të tjerë të veçantë;
  • listën e standardeve teknike përkatëse që do të vëzhgohen;

d) periudha e vlerësuar e ndërtimit (në muaj).

  • Ndikimet mjedisore dhe sociale

Studimi i fizibilitetit përcakton ndikimin mjedisor dhe social të projektit në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Studimi identifikon efektet e mundshme negative apo të kundërta në përbërësit mjedisorë por që nuk kufizohen vetëm te: popullsia, ajri, toka, uji, peizazhi, fauna, flora, aspekte të biodiversitetit, duke përfshirë speciet e rrezikuara, ekosistemet e ndjeshme dhe identifikimin e atyre që mbrohen ligjërisht. Ai duhet të tregojë, gjithashtu, edhe masat parandaluese që duhen ndërmarrë për të siguruar përputhjen me standardet e BE-së për mjedisin.

Studimi merr parasysh aspektet sociale, të tilla si: mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe e shëndetit të komuniteteve, siguria, çështjet e punës dhe, nëse është rasti, ndikimet mbi grupet e pafavorizuara ose në nevojë, blerja e tokës dhe risistemimi i pavullnetshëm, mbrojtja e pasurisë kulturore dhe trashëgimisë.

  • Analiza ekonomike dhe financiare

Analiza ekonomike dhe financiare është pjesë e studimit të fizibilitetit dhe objektivi i saj kryesor është të përcaktojë “vlerën e parasë” së projektit.

Studimi i fizibilitetit shpreh një vlerësim të investimit në total, kostot operative dhe të mirëmbajtjes, si dhe çdo të ardhur që pritet të krijohet, në të gjithë kohëzgjatjen e projektit.

Kostot e drejtpërdrejta të investimeve lidhen në mënyrë specifike me ndërtimin e objekteve të reja dhe mund të përmbajnë, por nuk kufizohen në shpenzimet fillestare për përgatitjen e projektit, duke përfshirë shërbimet financiare, ligjore, të prokurimit, teknike dhe të menaxhimit të projektit, kostot e projektimit, kostot e tokës apo të blerjes së një aseti të ri, kostot e përgatitjes së truallit, kostot e ndërtimeve dhe të vënies në funksionim, duke përfshirë edhe lëndët e para, pajisjet, instalimet, fuqinë punëtore, menaxhimin dhe trajnimin, dhe rrethana të tjera.

Kostot e drejtpërdrejta të mirëmbajtjes përfshijnë kostot e mbajtjes së aseteve gjatë ciklit të plotë të projektit në gjendjen e kërkuar për të dhënë rezultatet e specifikuara, dhe mund të përfshijnë kostot e lëndëve të para, mjetet dhe pajisjet, si dhe kostot e personelit të shoqëruara me mirëmbajtjen.

Kostot e drejtpërdrejta operative lidhen me funksionimin e përditshëm të objektit dhe përfshijnë koston e plotë të personelit (ku futen pagat, përfitimet e punonjësve, detyrimet për kontributet e pensioneve, kontributet e sigurimeve, trajnimin dhe zhvillimin, pushimet vjetore, shpenzimet e udhëtimit dhe shpenzime të pritshme shtesë), kostot e shërbimeve, lëndët e para dhe materialet e konsumit, kostot e drejtpërdrejta të menaxhimit, si dhe shpenzimet e sigurimit.

Kostot indirekte të projektit janë një pjesë e kostos së administrimit të objektit, dhe përfshijnë kostot e kohës dhe të punës së drejtuesve të lartë, personelit, kontabilitetit, faturimit, shërbimeve ligjore, qirasë, komunikimet dhe burime të tjera institucionale të shfrytëzuara nga projekti.

Të ardhurat e projektit përfitohen nga:

  1. përdoruesit fundorë që paguajnë për shërbimin apo për një pjesë të tij; dhe/ose
  2. përdorimi i aseteve të institucionit.