Kompania private e grabitur më datë 14 prill në lagjen nr.14, në Shkozet mësohet se ishte kompania “Aiba”, në pronësi të presidentit të FSHF-së, Armand Duka.

Mësohet se nga kasaforta që ishte vendosur në mur janë vjedhur afro 100 milionë lekë të vjetër. Në atë kohë policia njoftoi se kishte arrestuar rojen, i cili nuk kishte mbikqyrur kamerat.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, shtetasin A. H., 58 vjeç, banues në Durrës, me detyrë roje private dhe operator i monitorimit të kamerave të sigurisë në një kompani private në lagjen nr. 14, Durrës, në pronësi të shtetasit A. D., 29 vjeç. 

Gjatë natës, në lagjen nr. 14, Durrës, në ambientet e kësaj kompanie, persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur një sasi vlere monetare, por shtetasi A. H. nuk ka monitoruar kamerat dhe nuk ka njoftuar Policinë”,- njoftoi policia e Durrësit, më datë 15 prill.   

Nga të dhënat e deritanishme mësohet se policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe po heton për ngjarjen.