DURRËS, 10 dhjetor 2104 – Më 10 dhjetor 2014, në një komunikatë shtypi, Rosselkhoznadzor-i (Shërbimi federal rus i mbikëqyrjes veterinare dhe fitosanitare) bën të ditur mbi një takim pune midis zëvendësdrejtorit të Rosselkhoznadzor-it Aleksej Saurin dhe Martin Gjokës, i ngarkuar me punë (a.i.) të Shqipërisë në Rusi, Bjellorusi, Kazakistan dhe Uzbekistan, rezident në Moskë.

Takimi u zhvillua me nismën e palës shqiptare, e cila është e shqetësuar nga kufizimi i përkohshëm që ka zbatuar Rosselkhoznadzor-i ndaj prodhimeve ushqimore shqiptare bimore (fruta-perime), ndalim që u shkaktua nga identifikimi i partive të shumta të produkteve të tilla, që kanë mbërritur [në Rusi] me certifikata false fitosanitare, thuhet në njoftimin zyrtar rus.

Duke hapur takimin, Aleksej Saurin-i vuri në dukje rëndësinë e luftës së përbashkët kundër mashtruesve ndërkombëtarë, që përdorin certifikata shqiptare fitosanitare false për produkte kontrabandë në drejtim të Rusisë nga vende të treta. Është i domosdoshëm krijimi i një sistemi transparent kontrolli të vazhdueshëm në ngarkesat nga Shqipëria në Rusi, sistem që siguron respektim të rreptë të kërkesave të legjislacionit të Rusisë dhe Bashkimit Doganor.

Kurse Martin Gjoka nënvizoi synimin e palës shqiptare për të zhvilluar gjithsesi marrëdhëniet shqiptaro-ruse në të gjitha drejtimet e bashkëpunimit të mundshëm. Ai gjithashtu vuri në dukje se certifikatat false fitosanitare janë prodhuar jashtë Shqipërisë, në Çeki, dhe i shoqëronin dërgesat e produkteve të prodhuara në vendet e tjera të BE. Shqipëria, theksoi Martin Gjoka, u bë viktimë e mashtruesve ndërkombëtarë.

Si reagim ndaj veprimeve të kundërligjshme, shërbimi kombëtar i karantinës dhe mbrojtjes së bimëve i Shqipërisë është i gatshëm të aplikojë certifikata të reja fitosanitare me një shkallë të lartë mbrojtjeje, gjithashtu t’i dorëzojë Rosselkhoznadzor-it mostra të këtyre certifikatave, listat e zyrtarëve, që kanë të drejtë për certifikimin e produkteve bimore dhe mostrat e nënshkrimeve të tyre. Përveç kësaj, një delegacion i shërbimit kompetent të Shqipërisë është i gatshëm të vijë në Moskë për bisedime, për diskutimin e masave teknike në rritjen e shkallës së sigurisë në tregtinë e produkteve nën karantinë, si dhe nënshkrimin e një dokumenti kornizë, që normon juridikisht këto masa.

Aleksej Saurin ishte dakord me nevojën hartimit sa më shpejt të një kompleksi masash, që garantojnë sigurinë në ngarkesat dhe që rrisin nivelin e besimit midis shërbimeve kompetente të Rusisë dhe Shqipërisë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/