10 dhjetor 2014 – Ditën e mërkurë fillon në Marok edicioni i 11 i Kupës së Botës për Klube, aktiviteti i përvitshëm që mbahet nga FIFA ndërmjet skuadrave kampione të 6 Kontinenteve si dhe ekipit që ka fituar titullin në vendin organizator. Ky është viti i dytë radhazi kur ky kompeticion zhvillohet në Marok dhe kampion në fuqi sic dihet është ekipi i Bajernit të Mynihut që 12 muaj më parë mundi në finale pikërisht klubin vendas Raja Casablanca 2-0. Klubet që kanë fituar të drejtën për të marrë pjesë në edicionin e sivjetshëm janë Reali i Madridit fitues në Champions League, ekipi argjentinas i San Lorenzos që triumfoi në Kupën Libertadores, skuadra e kryeqytetit meksikan Cruz Azul që fitoi Championsin në Zonën e CONCACAF, klubi nga Zelanda e Re Auckland City që fitoi kupën ekuivalente në Zonën e Oqeanisë, – nga Australia Western Sydney Wanderers që triumfoi në Championsin Aziatik si dhe klubi algjerian ES Setif që u shpall kampion në Kontinentin Afrikan, ndërsa nga vendi organizator të drejtën për të marrë pjesë këtë herë e ka klubi Moghreb Tetouan që fitoi kampionatin vendas me 3 pikë më shumë sesa klubi që mori pjesë vjet Raja Casablanca.
Shorti për këtë event u hodh që më datë 11 tetor në Marrakesh dhe do të luhen 8 ndeshje gjithsej mes datave 10-20 dhjetor. Gjithcka fillon me takimin Moghreb Tetouan – Auckland City, ndërsa më datë 13 dhjetor fituesi i këtij cifti do të masë forcat me ES Setif, ndërkaq po në të njëjtën ditë do të luhet gjithashtu edhe ndeshja Cruz Azul – Western Sydney Wanderers. Për të parë Realin e Madridit në këtë kompeticion që të gjithë duhet të presim datën 16 të këtij muaji, kur ekipi i Ancelottit duke lënë mënjanë surprizat mund të vihet përballë klubit nga Mexico City. Pra kuptohet dy skuadrat kryesore Real Madrid dhe San Lorenzo do të hyjnë në lojë vetëm në turin gjysmëfinal dhe ndeshja e dytë e kësa faze pritet të shikojë për protagonistë klubin argjentinas që do të ndeshet me një nga tre klubet Moghreb, Auckland apo Setif, natyrisht në varësi të rezultateve që do të dalin në përballjet ndërmjet tyre.
Dy janë stadiumet që kanë nderin për të pritur 7 skuadrat më të mira të këtij aktiviteti: Stadiumi Princi Moulay Abdellah, në Rabat me një kapacitet prej 52.000 vendesh, ku në fakt do të luhen katër takimet e para. Stadiumi tjetër që do të presë gjysmën e mbetur të ndeshjeve dhe sigurisht pjesën më të rëndësishme të këtij kompeticioni është Stadiumi i Marrakeshit, me një kapacitet prej 45.240 spektatorësh, ku më datë 20 do të vendoset cështja e titullit, por gjithashtu do të zhvillohet edhe finalja e vogël e këtij eventi. 5 ndeshje përfshirë edhe finalen do të luhen në orën 20:30 me orën tonë ndërsa pjesa tjetër kryesisht në orën 17:30.





